Të dielën u bënë 76 vjet nga rënia heroike e Shaban Polluzhës, komandantit të Ballit Kombëtar që luftoi kundër komunizmit jugosllav.
Historiani Ibrahim Gashi thotë se Polluzha ishte ndër të parët që e nuhati hilen që komunizmi e pati për shqiptarët e Kosovës.
Ndaj mëtonte bashkim me Shqipërinë, njofton Klan Kosova.
”E kuptoi tradhëtinë e komunistëve jugosllavë që në emër të kauzës së internacionalizmit, sapo u larguan gjermanët, këta filluan ta ndjekin kauzën e nacionalizmit dhe shovinizmit”, shpjegon Gashi.
Polluzha udhëhoqi Ballin Kombëtar kundër komunizmit në rajonin e Drenicës, nismë që u mbështet edhe nga zona tjera shqiptare. Historiani Ibrahim Gashi thotë se veprimtaria e tij u tentua të mvishej si tentim për ta kthyer fashizmin, por që në esencë ishte luftë e drejtë.
Polluzha ishte nisur për në Srem të Serbisë për luftime, kur ndërroi mendje të kthehej në Drenicë, t’i kundështonte masakrat që po bëheshin nga serbët.
Gashi thotë se këtë thyerje të rrugës tentuan ta ndalnin edhe disa shqiptarë.
”Pati një përpjekje të Fadil Hoxhës për ta ndalur Shabanin që të mos kthehet, duke i kërkuar të shkojë në frontin e Sremit, por Shabani kishte një përgjigje. Nga kjo që po ndodh, ai tha: Nëse ne vazhdojmë me shku në Srem, do të vritemi rrugës, kurse masakrat do të vazhdojnë në Drenicë”.
Megjithatë, udhëheqësi ballist vazhdoi luftimet në Drenicë, atje ku kryengritja kulmoi pas vendosjes së administrimit ushtarak jugosllav.
Në Tërstenik edhe ra heroikisht, më 21 shkurt 1945. Shtypja me dhunë nga jugosllavët u bë për një arsye.
”Për ta eleminuar një pjesë të madhe të rinisë shqiptare dhe për të futur një frikë në popullësi që të mos e kërkojë të drejtën për bashkim me Shqipërinë”, shton historiani Gashi.
Në 76 vjetorin e vrasjes së tij, Polluzha u kujtua edhe nga politikanë kosovarë.