Ka shkuar në 6 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar “TIBUS”. Policia sqaron se sot është vënë në pranga 30-vjeçari Andi Veshaj.Arrestimi i tij u bë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Romës, ka lëshuar urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.
Prangosja e tij u bë pas një operacioni nga FAST Albania, FNSH, strukturat e DVP Vlorë dhe Interpol Tirana. Tashmë për të do të vijojnë procedurat për ekstradimin drejt vendit fqinj.
Lidhur me këtë operacion një ditë më parë ranë në pranga dhe Albano Jazaj, Dionis Maskaj, Eriseld Nelaj, Rezart Elmazaj dhe Zigur Aliaj të cilët do të ekstradohen drejt shtetit italian ku do të gjykohen.Nga hetimet e autoriteteve italiane ka rezultuar se organizata kriminale ka trafikuar marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës nga data 1 Qershor 2018 deri më 21 Janar 2019.Ndërkohë i gjithë operacioni është finalizuar me arrestimin e 55 personave, nga të cilët 27 shqiptarë, 23 nigerianë, 4 italianë dhe 1 shtetas nga Gambia. Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas mediave italiane, droga nisej nga Vlora me destinacion brigjet italiane./tvklan