57 ankesa deri më tani i ka pranuar Zyra e Rregullatorit.
Kjo për shkak të çmimit të lartë në faturat e fundit të energjisë elektrike.
Lajmin e ka konfirmuar për Front Online, nga ky institucion.
Ndërkaq, për këtë nga KMLDNJ po kërkohet që të paditet KESCO, dhe ZRRE për t’i kompensuar qytetarët.
Front Online ka pyetur ZRRE-në, nëse do të ndodhë një gjë e tillë.
Përmes një përgjigjeje thonë që përgjegjësi së pari duhet të jap furnizuesi që në këtë rast janë KEDS dhe KESCO.
Sipas ZRRE-së, furnizuesi e ka obligim që t’iu përgjigjet ankesave të qytetarëve.
“Në përputhje me Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Për sa i përket ankesave për faturat e fundit, ju informojmë se deri me sot janë pranuar 57 ankesa te konsumatorëve, te cilat janë referuar tek Furnizuesi. Çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë”, thuhet në përgjigje.
Nga ZRRE-ja deklarojnë se pasi konsumatorët të pranojnë përgjigjen nga KESCO, mund të vazhdojnë me ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit
“Pas pranimit të përgjigjes nga Furnizuesi, Konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtoj çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë”, kanë deklaruar nga ZRRE-ja për Front Online.