×
  • Lajme
  • Lajme

    54 mësimdhënës hynë në test për licencën e avancuar, 7 e kaluan/ Ekspertët/ Testimi, “hi syve” për publikun

    FrontOnline
    12 Janar 2025

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se vetëm 7 nga 54 mësimdhënësit që morën pjesë në provimin për pajisje me licencë të avancuar e kaluan atë. Ajo ka bërë këto komente gjatë një konference të mbajtur të hënën e kaluar, ku ka pasur diskutime për arritjet dhe sfidat e vitit 2024.

    Në gusht të këtij viti, Ministria e Arsimit ka hapur mundësinë për mësimdhënësit që duan të aplikojnë për licencën e avancuar. Ky proces është mundësuar për ata që janë të pajisur me licencën e karrierës dhe që kanë realizuar së paku 200 orë zhvillim profesional. Mësimdhënësit që kalojnë provimin mund të përfitojnë pagë më të lartë.

    Sipas këtij udhëzimi, mësimdhënësit mund të kenë tre lloje licencash: të karrierës, të avancuar dhe të përhershme. Licenca e karrierës merret pas një vlerësimi të suksesshëm dhe ka afat shtatë vjet, pas së cilës mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e avancuar.

    Ish-zëvendësministri i Arsimit: Testi për licencën e avancuar kërkon përmirësime, mos të lëshohen kriteret!

    Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se testi për licencën e avancuar të mësimdhënësve, i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, është ende një proces pilot dhe ka nevojë për përmirësime. Sipas tij, edhe mësimdhënësit që morën pjesë në test dhe Ministria nuk ishin plotësisht të përgatitur për testimin dhe nivelin e vështirësisë së pyetjeve. Rezultatet e ulëta të arritura nga pjesëmarrësit, sipas Rexhajt, tregojnë për mungesë të informacionit dhe përgatitjes së mjaftueshme, si nga ana e mësimdhënësve ashtu edhe nga Ministria.

    ‘’Mendoj se mësimdhënësit nuk e kane dite mire se çfarë te presin, por njëkohësisht mendoj se ata nuk janë përgatitur si e sa duhet për test. Pos kësaj mendoj se as hartuesit e testit nuk kane dite tamam se ku ta vendosin shkallen e vështirësisë se pyetjeve. Mbase do te ishte mire qe Ministria ta kishte bere testin me një grup provues (qe edhe mund ta ketë bere – por unë nuk jam i informuar për ketë). Rezultatet e ulëta po tregojnë për mungese informimi te mirëfillte, mungese pilotimi, por edhe mungese te përgatitjes se duhur nga ana e mësimdhënësve’’, tha Rexhaj për FrontOnline.

     

    Rexhaj ka theksuar se ky test mund të shërbejë për të vendosur një standard për cilësinë e mësimdhënësve që duan të kalojnë në nivelin e avancuar, por ka paralajmëruar se nuk duhet të ketë lëshime në kriteret e provimit. Ai ka shpjeguar se ulja e kritereve për të lehtësuar kalimin e provimit mund të çojë në devalvimin e procesit dhe të krijojë një standard të ulët. Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar se një rënie e standardeve të testit mund të ketë pasoja të ngjashme me ato që ndodhin me testet e maturës dhe arritshmërisë, të cilat kalohen me lehtësi, por nuk arrijnë rezultate të mira në testet ndërkombëtare.

    ‘’Ajo qe kurrsesi nuk duhet te ndodhe është qe tash ministria t’i ule kriteret përtej vlerësimit objektiv te pilotit dhe ky test i licencës se avancuar te devalvohet sikurse testi i maturës dhe testi i arritshmërisë. Siç e dimë këto dy teste tona kalohen mesatarisht ne mase te madhe por ne teste ndërkombëtare thjeshte ngelim – nota jone del me pak se njësh! Pra mos te lëshohen kriteret’’!, deklaroi ish-zëvendës ministri.

    Rexhaj ka shtuar se ky test, megjithatë, nuk mund të reformojë menjëherë sistemin arsimor, pasi rezultatet e provimit janë ende të kufizuara. Sipas tij, ky proces mund të vendosë një standard të kërkesave që duhet të arrijnë mësimdhënësit për të avancuar në nivelin e avancuar dhe për të përfituar ngritje të pagës. Ai ka theksuar gjithashtu se ky test është një mundësi për të nxitur mësimdhënësit që të angazhohen më shumë në zhvillimin profesional dhe të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies në shkolla.

    ‘’Ky test vetvetiu nuk mund te reformoje cilësinë ne arsim – 55 mësimdhënës janë pak për te ndodhur reforma përmes tyre. Por, ky test mund te vendosë një standard se ku duhet te ngritën mësimdhënësit për t’u bere mësimdhënës te avancuar. Domethënë, ky test mund te shërbeje për te bindur mësimdhënësit se nuk bene te vazhdohet me improvizime – pro kërkohet pune e madhe për tu bere mësimdhënës i avancuar’’, përfundoi Rexhaj

    Ish-zv.ministri i Arsimit: Kalueshmria e mësimdhënësve e ulët, nevojiten më shumë informacione për licencën e avancuar

    Ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, është deklaruar për FrontOnline mbi procesin e licencës së avancuar dhe ka theksuar se numri i mësimdhënësve që janë paraqitur për provimin ka qenë relativisht i vogël, me vetëm 54 aplikantë në total.

    ‘’ Së pari numri i mësimdhënësve që janë paraqitur për licencë ka qenë relativisht shumë i vogël, 54 mësimdhënës në total’’, tha ish-zëvendës ministri.

    Ai ka sugjeruar se kjo mund të lidhet me një hezitim të mundshëm nga ana e mësimdhënësve, të cilët ndoshta nuk kanë pasur informacion të mjaftueshëm për natyrën dhe përmbajtjen e këtij testi klasifikues, dhe si pasojë kanë marrë pjesë më pak mësimdhënës.

    ‘’Paraqitja e një numri kaq të vogël në testim tregon një hezitim ndoshta njerëzit nuk kanë ditur për përmbajtjen e këtij lloj testi klasifikues dhe kjo mund të jetë arsyeja e një paraqitje të vetëm 54 mësimdhënësve’’, tha Pupovci.

    Pupovci gjithashtu ka vënë në dukje se kalueshmëria në provim ka qenë shumë e ulët, duke u theksuar se vetëm 7 mësimdhënës e kaluan provimin. Kjo, sipas tij, mund të ketë ndodhur për shkak të përgatitjes së pamjaftueshme për këtë lloj testimi, por edhe për shkak të mungesës së informacionit për natyrën e pyetjeve që paraqiten në provim.

    ‘’Edhe kalueshmëria në provim nuk ka qenë për tu lavdëruar sepse vetëm 7 mësimdhënës  e kanë kaluar provimin , kjo mund të jetë si arsye mos përgatitja për këtë lloj testimi por mund të jetë edhe mungesa e informacionit për natyrën e pyetjeve që paraqiten në provim’’, deklaroi ish-zëvendës ministri.

    Për të nxitur një pjesëmarrje më të madhe dhe për të përmirësuar rezultatet, Pupovci ka propozuar që të publikohen më shumë informacione mbi natyrën dhe strukturën e provimit, që mësimdhënësit të kenë mundësi të përgatiten më mirë për këtë test. Ai ka theksuar se ky test klasifikues ka rëndësi të madhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe për motivimin e mësimdhënësve, pasi licenca e avancuar është e lidhur me një rritje të pagës.

    ‘’ Mendoj që për të nxitur një numër më të madh të mësimdhënësve të paraqiten në provim do të ishte mirë t publikohen informacione për natyrën e këtij provimi klasifikues dhe të përgatiten për at rast e pastaj besoj që edhe suksesi do të jetë më I mirë .

    Ky lloj testimi gjithsesi është një element I cili ndikon në përmirësimin e cilësisë së arsimit  në vend por ndikon edhe në motivimin  e mësimdhënësve për punë sepse licenca e  avacuar ndërlidhet me rritje page’’, tha Pupovci për FrontOnline.

    Po ashtu, për të parandaluar aplikimet e paarsyetuara, ai ka sugjeruar që provimi klasifikues të aplikohet në mënyrë që vetëm ata që e kalojnë atë të kalojnë në fazat e tjera të vlerësimit.

    Pupovci ka besim se tani mësimdhënësit e kanë të qartë se ky është një test serioz, por ndoshta iu duhen më shumë informacione për përmbajtjen e provimit që të mund të aplikojnë kur janë të përgatitur, dhe jo vetëm për ta provuar këtë lloj testimi.

    ‘’ Për të penguar aplikimet e pa bazuara  është mirë që të aplikohet provimi klasifikues në mënyrë që në faza të tjera t vlerësimit t shkojnë vetëm ata që e kalojnë. Besoj që  tani mësimdhënësit e kanë t qartë se ky është një testim serioz por ndoshta iu duhen pak m shumë informacione për përmbajtjen e provimit në mënyre që secili të aplikojë kur është I përgatitur e jo të aplikojë sa për të provuar ‘’, përfundoi Pupovci.

    Njohësi i arsimit: Testimi i mësimdhënësve është bërë sa për t’i hedhur ‘’hi  syve’’  publikut

    Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka komentuar gjithashtu mbi procesin e licencës së avancuar, duke theksuar se ky lloj testimi ka qenë i paraparë që të mbahet për një kohë të gjatë, por Ministria e Arsimit nuk e ka organizuar atë në kohë, duke gjetur arsye dhe shkaqe të ndryshme.

    ‘’ Ky lloj testimi faktikisht ka qenë i paraparë të mbahet qe një kohë të gjatë , Ministria e Arsimit nuk e patën organizuar duke gjetur arsye e shkaqe ‘’, deklaroi Osmani.

    Sipas Osmanit, tashmë, para zgjedhjeve, është bërë një improvizim për të realizuar këtë test, që sipas tij ka qenë i shpejtë dhe pa një përgatitje të duhur. Ai ka shtuar se ky test u bë më shumë për të mos dalur keq para  opinionit publik , duke theksuar se nuk ishte e qartë se çfarë pritej nga mësimdhënësit dhe se çfarë duhej bërë.

    ‘’Para zgjedhjeve ke një lloj improvizimi që e bënë atë test që të mos dalin keq në sy të opinionit ishte një test I shpejtë sa për ti hedhur hi syve  publikut sepse nuk është çfarë është pritur dhe çfarë duhet bërë’’, tha Osmani për FrontOnline.

    Osmani e vlerëson se, pavarësisht këtij organizimi të nxituar ky test ndikon në përformancën e mësimdhënësve dhe në rritjen e cilësisë së arsimit, dhe për këtë arsye nuk duhej të ishte anashkaluar.

    ‘’Normal që ky test ndikon edhe në performancë të mësimdhënësve por edhe ë ngritjen e cilësisë të arsimit për këtë arsye nuk është dashur të anashkalohet ‘’, përfundoi Osmani.

     

     

    Qehaja: Licencimi i mësimdhënësve mundësi për zhvillim profesional, procesi kërkon përkushtim dhe përgatitje

     

    Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, ka theksuar se licencimi i mësimdhënësve është një mundësi ideale për zhvillimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve gjatë karrierës së tyre dhe duhet të zbatohet si një reformë e mirëfilltë që motivon mësimdhënësit për të përmirësuar performancën e tyre. Ai ka shtuar se procesi i licencimit duhet të shërbejë për të ngritur standardet dhe cilësinë e mësimdhënies, duke inkurajuar mësimdhënësit të angazhohen më shumë në zhvillim profesional.

    ‘’Licencimi i mësimdhënësve është mundësi ideale e zhvillimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve në karrierë dhe duhet medoemos të mirë zbatohet si reformë që motivon mësimdhënësit dhe nxit për përmirësim të vazhdueshëm të performancës’’, tha Qehaja për FrontOnline.

    Qehaja ka vlerësuar thirrjen e parë për licencën e avancuar, duke theksuar se, megjithë numrin e vogël të aplikantëve, kjo mund të shërbejë si një pilotim i një procesi që kërkon shumë përkushtim dhe përgatitje. Ai ka theksuar se një përgatitje e mirëfilltë dhe një informim i qartë i mësimdhënësve për kriteret dhe përfitimet që sjell licencimi është kyç për suksesin e këtij procesi

    ‘’Thirrja e parë për licence të avancuar pa marr parasysh numrit të vogël të aplikimit le të shërbej si pilotim i një procesi që kërkon shumë përkushtim, përgatitje dhe mirë informim të mësimdhënësve për aplikimin, kriteret dhe përfitimet që sjell licencimin’’, përfundoi Qehaja

    Nga Rubrika
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vazhdoi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim në qytetin e Ferizajt. Numër i...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, para njerëzve të Ferizajt tha se me të në krye të qeverisë, Kosova do të...
    Lajme12 Janar 2025
    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, ka hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore në një tubim...
    Të tjera
    Lajme12 Janar 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës e ka rikthyer pulsin dhe se po rikthehet si forca...
    Vip12 Janar 2025
    Ish-banorja e BBVK 2, Kader Kicaj, ka reaguar kundër ish të dashurit të saj, Lumbardh Salihut. Bukuroshja nga Prizreni ka publikuar disa...
    Lajme12 Janar 2025
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot komunën e Kaçanikut. Abdixhiku vlerësoi lartë...
    Lajme12 Janar 2025
    Në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, Lidhja Demokratike e Kosovës po mban takim. Nga postime e LDK-së në Facebook, shihet...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Shkalla e infektimeve me virusin e ngjashëm me gripin, metapneumovirus (HMPV), është duke shënuar rënie në veri të Kinës, thanë zyrtarët shëndetësorë...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Gjatë mbrëmjes të së shtunës, në Fier u plagos një 16-vjeçar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas disa orësh kërkim, bënë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.