Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, nën udhëheqjen e nënkryetarit, Arbër Ismajli, ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit dhe konfirmohet se për këto dy ditë janë gjithsej 91 raste positive nga 236 mostra të marra duke shënuar poashtu edhe 60 raste të negativizimit të plotë.
Nënkryetari Ismajli tha se gjendja në Gjilan në ditët e fundit është nën menaxhimin e vazhdueshëm të ekipeve shëndetësore të cilat duhet falënderuar vazhdimisht duke përfshirë këtu edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore në shtëpi për 65 pacient. Respektimi i masave është kulturë e përbashkët dhe obligim deri në vaksinimin e plotë të popullatës.
Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 16809 mostra, 4575 kanë rezultuar pozitivë, 3948 janë shëruar plotësisht, 117 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 513 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 94 persona ndërsa mostra në pritje janë 117.