Një burrë 42-vjeçar dyshohet se ka rrëmbyer një femër në Klinë, të cilën më pas e ka dërguar në një hotel në Pejë, mëson Gazeta Express.
Viktima ka pësuar lëndime trupore, por e njëjta ka arritur që ta kontaktojë policinë.
Policia ka arrestuar të dyshuarit, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se personi që dyshohet se kreu rrëmbimin dyshohet për dy vepra penale, “privimi i kundërligjshëm nga liria” dhe “shkaktimin e lëndimeve trupore”.
“Prokuroria Themelore e Pejës ka ndaluar një (1) person të dyshuar për veprën penale “Privimi i kundërligjshëm nga liria” dhe “shkaktimin e lëndimeve trupore” ndaj viktimës. Me aktvendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar 48 orë, ndërkaq në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme rreth këtij rasti”, tha Nikçi për Gazetën Express.
Mbetet e paqartë lidhja mes të dyshuarit dhe viktimës, po ashtu nuk dihet nëse ata janë njohur më parë.
Rasti është bërë i ditur me anë të raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“RRËMBIM/Klinë 23.01.2021 – 20:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte rrëmbyer viktimën femër kosovare ndaj të cilës kishte ushtruar dhunë fizike. Viktima kishte arritur që të ikë dhe të lajmërohet në polici. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili udhëzon që pas intervistimit i dyshuari të dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.