Rreth 61 milionë raste me Covid-19 numërohen zyrtarisht në të gjithë botën që prej fillimit të pandemisë, që u ka marrë jetën më shumë se 1.4 milionë personave.
Problematike mbetet situata në Europë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, më shumë se 400 mijë pacientë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Kontinentin e Vjetër.
Mbretëria e Bashkuar ka shënuar numrin më të lartë të viktimave, më pas ndjekin Italia, Franca dhe Spanja.
Përkundër bilancit të lartë të jetëve të humbura, shifrat e rasteve ditore kanë një trend në rënie, çka shtyu vendet europiane të lehtësonin kufizimet përpara festave të fundvitit. Dyqanet jo të domosdoshme në Francë hapën qepenat pas një muaji mbyllje, ndërsa në Britani izolimi kombëtar zëvendësohet me planin me 3 nivele kufizimesh.
Gjermania është më strikte sa i përket masave dhe paralajmëron se izolimi i butë mund të zgjasë deri në pranverë.
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten vendi më i prekur nga pandemia. Ditën e fundit tejkaloi dhe 13 milionë infektimet, pasi në vetëm 1 javë raportoi 1 milionë raste të reja me Covid-19. Jetët e humbura në SHBA, që prej fillimit të pandemisë, janë 264 mijë. Shqetësues mbetet numri i të shtruarve në spitale, që kapi shifrën rekord prej mbi 90 mijë personash nën përkujdesje mjekësore. /A2