32 biznese, të udhëhequra nga gratë ndërmarrëse, kanë përfituar mbështetje në financim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e në kuadër të kësaj 140 gra do të punësohen. Kështu ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me gratë ndërmarrëse, ku ka theksuar se në vitin e ardhshëm do të rritet shuma me të cilën do të përkrahen me subvencione gratë.
Krasniqi ka thënë se kanë kërkuar mbështetjen e Bankës Botërore që të rritet përkrahje për gratë ndërmarrëse.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë këtë vit ka mbështetur 32 biznese nën udhëheqjen e grave, që në kuadër të këtyre mbështetjeve do të punësohen 140 femra. Andaj sikur ky projekt dhe shumë projekte të tjera të cilat MTI në planin e vet të punës dhe strategjinë e saj, sigurisht në vete ngërthen edhe mbështetjen e grave përmes subvencioneve, ndarjes së granteve, ku për vitin 2021, në buxhetin e vitit 2021 kemi planifikuar që kjo shumë të jetë më e madhe, po ashtu kemi kërkuar me mbështetjen e Bankës Botërore që ta rrisim këtë mbështetje për vitin e ardhshëm dhe vitet e tjera, në këtë mënyrë ta mbështesim gjininë femërore, ato të cilat menaxhojnë”, tha ai.
Ministri i Tregtisë ka thënë se gratë e kanë dëshmuar se dinë të menaxhojnë dhe të bëjnë biznes.
Ai ka përmendur stafin e kësaj ministrie, që siç tha ai, 41% janë të gjinisë femërore.
Marrëveshja në mes të MTI-së dhe grave ndërmarrëse, përfituese të subvencioneve, u nënshkrua në kohën kur po zhvillohet fushata 16 ditë aktinizëm që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi barazinë gjinore.