Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër inspektorit Gafurr Rexha për shkak se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.
Të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar prej datës 29.09.2020 deri më datën 29.10.2020.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri G.R ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe mund të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, si dhe do të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur ose ndryshuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në dëshmitar dhe në të dëmtuarin”, njofton komunikata e Gjykatës Themelore në Prishtinë.