Më 1 dhe 2 mars shënohet 29-vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.
Para 29 vjetësh, shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vjet më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Është me rëndësi të theksohet se në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit.
Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.
Nga distanca 29 vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Gjatë viteve 1991-1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për të mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptarëve të këtij rajoni. Më 16 shkurt 1992, në Preshevë u mbajt Kuvendi i përbërë prej 96 delegatëve, të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptarët e tri komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Më 1 dhe 2 mars 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptar nga Lugina e Preshevës, me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit, i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit. Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe. U hapën 75 vendvotime në shtëpi private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime.
Dolën mbi 46.000 votues. 98 % e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm.
Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u mor vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001, ajo nuk u respektua nga ana serbe.