Kryeshefi i Klinikës së Anesteziologjisë, Rexhep Gjyliqi, ka thënë për Front Online, se pacientëve u ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Por, ajo që po ua vështirëson më shumë punën, është edhe infektimi i anesteziologëve.
Gjyliqi ka thënë se deri tani 25 anesteziolog dhe 58 infermier janë infektuar me virus.
“Në klinikën tonë gjithsej kanë qenë të infektuar 25 anesteziolog, aktualisht janë 8, të tjerët janë shëruar. Gjithashtu kemi edhe rreth 58 infermier të infektuar që nga fillimi, por aktualisht janë 10 që janë duke u trajtuar”, ka deklaruar ai për Front Online.
Për shkak të mungesës së anesteziologëve, ai ka thënë se u duhet të mbajnë më shumë kujdestari, të cilat po i lodhin shumë.
“Ne në fazën e parë të pandemisë kemi kujdestaruar çdo të tretën ditë dhe çdo të katërtën pa ndalë, pa orar. Si duket prapë do të shkojmë në situatë të tillë. Ne mangët nuk do të ja lëmë asnjë pacienti asnjë shërbim, sepse mjekimi intensiv është një njësi ku nevojitet përkushtim i vazhdueshëm, përkushtim 24 orë”, ka theksuar ai.
Përveç trajtimit të pacientëve me Covid-19, Gjyliqi ka thënë se kanë edhe pacientë të tjerë me sëmundje të ndryshme në mjekimin intensiv, ku gjithashtu po mundohen të punojnë me kapacitete të plota./Front Online