Një vajzë 24 vjeçare nga Ferizaj ka qenë viktimë e trafikimit për disa muaj rresht. Personi që dyshohet se manipuloi me të e ka trafikuar të paktën edhe te gjashtë persona të tjerë, për ofrimin e shërbimeve seksuale. Si pasojë e trafikimit, ajo ka mbetur shtatzënë dhe shumë shpejtë pritet ta sjellë në jetë një fëmijë.
Sipas raporteve mjekësore, viktima ka aftësi të zvogëluar mendore dhe përveç keqtrajtimit nga personat e dyshuar, ajo është sulmuar fizikisht edhe nga motra e saj, pasi edhe kjo e fundit ka aftësi të zvogëluar mendore.
Për gjendjen shëndetësore të viktimës, Gazeta Express ka biseduar me Udhëheqësen e Shërbimeve Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ajo tha se rasti i 24 vjeçares është referuar në muajin gusht, e cila më pas ka qëndruar pesë ditë në strehimore dhe aktualisht ndodhet te familja e saj biologjike.
“Rasti i saj është referuar si “dhunë në familje”, ajo është keqtrajtuar prej motrës së saj e cila po ashtu ka aftësi të zvogëluar mendore. Ndërsa viktimën e ka referuar në polici gjyshja e saj. Më pas ka qenë në strehimore për pesë ditë, tani është kthyer te familja biologjike e saj”, tha Rexhepi-Braha për Gazetën Express.
Ajo tha se 24 vjeçarja ka bërë disa muaj të shtatzënisë dhe sipas vizitave mjekësore dhe gjinekologut, fëmija është mirë dhe ka peshë normale.
Rasti i saj mbështetet nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj, institucion ky që i ofron shërbime psiko-sociale, vizita gjinekologjike, këshilla etj.
Policia e Kosovës e ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin kryesor për trafikimin e 24 vjeçares, i cili dyshohet se e ka trafikuar me persona të ndryshëm dhe në lokacione të ndryshme. Bëhet fjalë për të paktën gjashtë persona të tjerë, njëri nga ta shtetas i Shqipërisë, të cilët me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha për Gazetën Express se ndaj të dyshuarit, prokurori i rastit do të bëjë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Sipas ekspertizës së mjekëve, vajza ka zhvillim të ulët mendor, ajo është viktimë e trafikimit dhe për rastin e saj është ndaluar një person. Prokurori i rastit do t’i zgjerojë hetimet dhe do të kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit”, tha Jashari për .
I pyetur nëse viktima është intervistuar nga prokurori, Jashari tha se 24 vjeçarja nuk është intervistuar akoma, pasi duhet bërë një ekspertizë për të konstatuar saktë zhvillimin e saj.
Gazeta Express merr vesh se në këtë fazë i dyshuari për trafikimin e 24 vjeçares ka mohuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, ndërsa mosha e tij është rreth 35 vjeç.
Policia ka njoftuar mëngjesin e sotëm se rasti i saj është hapur si “trafikm me njerëz”.
Njoftimi i plotë i policisë:
TRAFIKIM ME NJERËZ/Ferizaj Shkurt-Nëntor 2020 – NN. Është arrestuar i dyshuari m/k, pasi që i njëjti kishte shfrytëzuar dhe manipuluar viktimën f/k (me aftësi të zvogëluar mendore), duke e trafikuar me persona të ndryshëm, në lokacion të ndryshme. Lidhur me rastin, janë shoqëruar edhe gjashtë të dyshuar meshkuj, pesë m/k dhe një shtetas i R. Shqipërisë, nën dyshimin për shërbime seksuale të viktimës së trafikuar. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor në QPS Ferizaj dhe është vërtetuar se është me barrë (shtatzënë). Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa gjashtë të dyshuarit e shoqëruar janë liruar në procedurë të rregullt.