Braktisja dhe keqtrajtimi i fëmijëve vazhdon të jetë fenomen shqetësues në Kosovë.
Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Komunën e Prishtinës, janë braktisur dy fëmijë
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku.
“Numri i fëmijëve të braktisur në Komunën e Prishtinës është dy (2) fëmijë, një vajzë dhe një djalë”, tha Mujku, për Front Online.
E, një prej arsyeve të braktisjes së fëmijëve është shtatzënia e padëshiruar dhe e pa planifikuar.
Ndërsa, tregon se numri i fëmijëve të braktisur është në rënie.
“Arsyet janë të ndryshme, mirëpo kryesisht kemi të bëjmë me rastet kur fëmija është nga shtatzënia e padëshiruar apo edhe gjendje e rënduar shëndetësore e fëmijës. Numri i fëmijëve të braktisur është në rënie edhe në Komunën e Prishtinës, njëjtë si edhe në nivel vendi”, u shpreh Mujku.
Kamberi: Fenomeni i braktisjes së fëmijëve prek secilën shoqëri dhe kulturë
Për fenomenin e braktisjes së fëmijëve foli për Front Online edhe sociologu, Ferdi Kamberi.
Ai tha se për minimizimin e kësaj dukurie institucionet duhet të krijojnë politika popullative për planifikim familjar.
“Fenomeni i braktisjes së fëmijëve është fenomen që prek secilën shoqëri dhe kulturë, ky fenomen ekziston edhe në shoqërinë kosovare dhe gradualisht është rritur, lidhur me minimizimin e kësaj dukuri duhet që të ketë një komunikim brenda për brenda çifteve ose në familje, pastaj institucionet e vendit të krijojnë politika popullative për planifikimin familjar, të rriten shtesat për nënat me fëmijë si stimulim për rritje të natalitetit”, tha ai.
Format themelore të mbrojtjes juridike e sociale të përkohshme dhe të përhershme për kategorinë e fëmijëve pa kujdes prindëror janë: Kujdestaria, strehimi familjar brenda farefisit, strehimi familjar jashtë farefisit, strehimi i përkohshëm ne strehimore dhe adoptimi si formë e përhershme e mbrojtjes./Front Online