Kanë rënë nga sistemi dy blloqe të Termocentralit Kosova B. Derisa ai B1 është në revizion, e që bëhet çdo vit i planifikuar, B2 pas mesnatës ka pasur rrjedhje e probleme teknike, e cila nga ekspertët është vlerësuar se duhet të dal jashtë funksionit.
Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i KEK-ut Skender Bucolli.
Ai tutje ka sqaruar se gjendja pritet të sanohet gjatë ditës së nesërme.
“Ne vetëm jemi duke operu me dy njësi të Kosovës A, ndërsa blloku B1 është në revizion që bëhet çdo vit dhe është ndalje e planifikuar, ndërkohë që blloku B2 pas mesnatës ka pasur disa rrjedhje e probleme teknike. Në këtë rast ekspertët e kanë vlerësuar që duhet të dal jashtë kontrollit dhe pritet që të kthehet gjatë ditës së nesërme”, tha Bucolli për IndeksOnline.
Ai tutje ka sqaruar se qytetarët nuk rrezikojnë të mbesin pa energji elektrike, pasi që KEDS është i obliguar të blej rrymë në mënyrë që të mos ketë mungesa të energjisë tek konsumatorët.
Bucolli ka bërë të ditur po ashtu se në bazë të një marrëveshje që posedojnë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë (KESH),për shkëmbim të energjisë elektrike, kanë marrë nga ta 100 megavat.
E aktualisht Kosova është në mungesë të 120-150 megavateve deri në ditën e nesërme, sqaroj më tej Bucolli.
IndeksOnline ka mësuar se ka pasur shembje në minierë gjatë marrjes së qymyrit, për çka Bucolli theksoi se shembja nuk ka ndodhur në vendin ku po kryehen punime.
Në anën tjetër Bordi i KEK-ut aktualisht ndodhet në një punëtori jashtë vendit.
Ndryshe si pasojë e daljes nga funksioni të këtyre dy blloqeve, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa ngrohje.