Numri i të shëruarve me virusin Covid-19 në Komunën e Prishtinës vazhdon të rritet.
Nga mbi 1 mijë e 500 raste aktive sa kishte, në këtë komunë kanë mbetur 400 raste aktive me virus.
Ndërsa, përveç testimeve PCR, rreth 10 mijë teste serelogjike janë kryer deri tani në institucionet publike në Komunën e Prishtinës.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, në një intervistë për Front Online ka thënë se nga data 21 korrik, testet serelogjike në Prishtinë janë kryer në Qendrën e Studentëve dhe në dy qendra tjera.
Gashi ka treguar se gjendja sa i përket këtij virusi në Komunën e Prishtinës është më e mirë.
Ai ka thënë se deri tani 185 punëtorë shëndetësorë të Mjekësisë Familjare janë infektuar me Covid, por që ata tashmë janë shëruar.
“Ne kemi pasur 185 raste që kanë qenë pozitiv dhe që kanë qenë të izoluar, por që kemi pasur mungesa të stafit. Tani nuk kemi raste aktive dhe nuk kemi raste të cilat janë të izoluara ose raste të cilat mungojnë nga puna, përjashtimisht rastet e zakonshme të punëtorëve që janë me sëmundje të ndryshme kronike ose me sëmundje malinje”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë nevojë shtesë, pasi që u mungojnë rreth 60 punëtorë shëndetësorë.
“Deri tani jemi minus 60 punëtorë shëndetësorë në kujdesin parësor shëndetësorë. Tani në këto ditë është në proces e sipër rekrutimi i punëtorëve në Kujdesin parësor shëndetësorë. Janë 40 pozita në profile të ndryshme”, ka thënë ai./Front Online
https://www.youtube.com/watch?v=5PwQ3XEB1-k&feature=emb_title&ab_channel=FrontOnline