Dy vetura u pretendua se u “blenë” nga Fisnik Syla, më 7 prill të vitit 2021, në autosallonin “Matrix” në Prishtinë. Vlera e parave që Syla duhej t’ia paguante pronarit të autosallonit ishte 50 mijë euro.
Por vetëm dy ditë më vonë, veturat u rishiten te një auto sallon tjetër “Ylli”, për 31 mijë euro, para të cilat Fisnik Syla i mori kesh dhe u largua për në Dubaj.
Veturat e tip “Audi A6” 4G, prodhimi i 2014 dhe 2015, iu dhanë në mirëbesim Fisnik Sylës nga salloni “Matriks”, me pretendimin për t’i testuar dhe vozitur për një kohë të shkurtër, e më pas, pasi të bëhej bartja e pronës, Syla duhej t’ua paguante atyre 50 mijë euro.
Të paktën kështu shkruhet në dokumentet e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte nisur hetimet për rastin, më 24 dhjetor të vitit 2021, pas kallëzimit penal që pronarët e “Matriksit” bënë në këtë gjykatë më 21 qershor të vitit 2021.
Kallëzimi erdhi pas shumë përpjekjeve për t’i kthyer paratë e tyre e dokumentet bankare të falsifikuara që Fisnik Syla ua dërgonte pronarëve të “Matriksit” për t’i bindur se gjoja po bënte pagesa, e po ashtu të njëjtat ia dërgonte edhe pronarit të “Yllit”, i cili po përpiqej që automjetet e blera t’i kthente në pronësi të tij.
Por historia e kurthua edhe më shumë, kur si pasojë që Fisnik Syla nuk po i paguante paratë për veturat e huaja që i shiti, Policia e Kosovës i sekuestroi të dyja nga pronari i ri, i cili pagoi 31 mijë euro për veturat që nuk po mund t’i përkthente.