×
  • Lajme
  • Lajme

    14 mijë raste aktive me COVID-19, vaksinat e para në Kosovë – moment shprese për fillimin e fundit të pandemisë

    FrontOnline
    29 Mars 2021

    Pak para orës 20:00 mbrëmjen e së enjtës së 28 marsit në Kosovë arritën vaksinat e para të prodhuesit Astra-Zeneca si donacion nga COVAX.

    Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” arriti aeroplani bartës i kontigjentit të parë të vaksinave që e pranon Kosova me saktësisht 24 mijë doza.

    E për arritjen e këtij donacioni u bë edhe pak politikë. Fillimisht gjatë ditës ishte ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ai i cili tha se e ka nënshkruar arritjen e këtij kontigjenti e më pas për këtë u organizua edhe ceremoni e pritjes.

    Në ceremoninë e arritjes së vaksinave anti-Covid morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të vendeve të QUINT-it.

    Pas pranimit të vaksinave, i pari që mori fjalën ishte kryeministri Kurti. Ai në fjalën e tij nuk e lëshoi rastin për ta kritikuar qeverinë paraprake të udhëhequr nga Avdullah Hoti për keqmenaxhim të pandemisë e gjithashtu edhe për numrin e lartë të rasteve me koronavirus e madje edhe për vdekjet.

    Ai tha se duhet të fillojë vaksinimi sa më shpejtë, gjithashtu bëri thirrje të respektohen masat të cilat ai tha se duhet të merren shpejtë dhe drejtë.

    “Jemi mbledhur këtu tek aeroporti Adem Jashari për të mirëpritur arritjen e kontigjentit të parë të vaksinave në Kosovë, është ky kontigjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së nejrëzve, sidomos personelit shëndetësor dhe popullsisë në rrezik. Secila jetë në secilin vend të botës është e çmuar dhe e barazvlefshme andaj bota ka nevojë për solidaritet ndaj këtij armiku. Deri tani kemi mësuar se virusi nuk njeh kufij, racë apo etni dhe askush nuk është në asnjë vend i sigurtë derisa të gjithë jemi të sigurtë. Më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë që po kontribuojnë vaksinim të barabartë në mbarë botën. Vendi ynë sëhtë i vogël dhe i varfër andaj ka nevojë për mbështetje e solidaritet nga të gjithë e sidomos nga miqtë tanë SHBA-të e BE që janë edhe më të rëndësishmit në këtë donacion. Kohën që shkoi Kosova ka humbur kohë që na ka kushtuar shumë jo veç në menagjimin e pandemisë dhe ka kushtuar jetë njerëzish, ajo nuk mund të kthehet mrapa siç nuk mund të kthehet mrapa qindra jetë njerëzish që kemi humbur. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë. Në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe trend në rritje, kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë dhe në një vend me kaq pak banorë i ngjajnë një vendi në kohë lufte, andaj masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që t’i shmangim vdekjet, sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve në vitin 2021 në Kosovë, prej janar, shkurt e deti më tani kemi 504 të vdekur në Kosovë nga COVID-19. Qeveria jonë, qeveria juaj që keni zgjedhur, është në krye të detyrës, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojmë sa më shumë vaksina. Mjetet që tashmë e dimë se po funksionojnë duhet të respektohen dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm e të qëndrojmë të bashkuar në tejkalimin e pandemisë. Falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit shëndetësorë për punën e palodhshme që po bëjnë në shpëtimin e jetëve.”, tha Kurti.

    Pas Kurtit, fjalën e mori ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. Në fjalën e tij, ministri Vitia tha se prioritet për vaksinim janë profesionistët shëndetësorë dhe se vaksinimi do të fillojë menjëherë.

    Vitia falënderoi kontribuesit që bënë këtë donacion të vinte në Kosovë dhe gjithashtu bëri thirrje të respektohen masat anti-Covid, duke thënë gjithashtu se masat duhet të respektohen sistematikisht edhe pasi të fillojë vaksinimi.

    Ministri i Shëndetësisë gjithashtu bëri të ditur se ditët ose javët në vijim, Ballkani Perëndimor do të pranojë në formë donacioni edhe 650 mijë doza të vaksinës anti-Covid.

    “Sonte jemi së bashku në një moment të shumëpritur, kjo shënon fillimin e fazës së re në luftë kundër virusit. Ky kontigjent i vaksinave ka ardhur sot falë aleancës COVAX, ne falënderojmë shtetet dhe aleancat pjesëmarrëse që po sigurojnë solidaritet botëror për të gjitha shtetet dhe po sigurojnë gjithëpërfshierje për të gjitha shtetet. Sot jemi në gjendje të rëndë pas një viti me pandemi, me numër të infektuarve, me spitale në limite të tyre të kapaciteteve dhe numër të lartë të vdekjeve ditore. Kohë për të humbur nuk kemi, prandaj do të fillojmë me dozat e para në Klinikën Infektive në Prishtinë. Të nderuar qytetarë, vend për çlirim nuk ka, edhe pse vaksinimi po fillon nuk do të thotë se pandemisë po i vjen fundi, ne jemi në një realitet të ri dhe duhet t’i respektojmë masat anti-Covid. Ne po vlerësojmë në vazhdimësi situatën me pandeminë dhe së bashku po marrim masat. Ashtu si sllogani “Bashkë ia dalim”, unë po them që vetëm bashkë ia dalim. Ruajtjen e shëndetit të secilit e kemi obligim secili. Realiteti i krijuar nga COVID-19 nuk është i pëlqyeshëm por kërkon durim nga të gjithë ne. Barra bie tek disa më shumë sesa të tjerët, por virusi nuk e kursen askënd. Sidomos pas fillimit të vaksinimit, respektimi i masave në mënyrë sistematike mbetet kyq dhe kjo është dëshmuar. Ne kemi filluar takimet me institucionet shëndetësore, partnerët dhe organizatat relevante për të menduar rreth hapave që duhet marrë. Ne po punojmë me sigurimin e vaksinave të tjera. Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga BE-ja edhe 650 mijë doza të vaksinës Pfizer, personeli shëndetësor do të fillojë vaksinimin i pari dhe ne jemi falënderues ndaj secilit që po luftojnë me orë të tejzgjatura të punës larg familjes për të mirë të qytetarëve. Në ditët javët e muajt në vazhdim ajo që na ndihmon më së shumti të dalim nga kjo gjendje është respektimi rigoroz i masave, duhet ta bëjmë këtë për veti e të tjerët, shokët e shoqet, kolegët e koleget, mësuesit, forcat e rendit, mjekët, prindërit e gjyshërit, motrat e vëllezërit, fëmijët tanë që mund t’i humbasim nga pakujdesia jonë.”, tha Vitia.

    Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, ka thënë se arritja e sotme e dozave të para të vaksinave, është vetëm fillimi i fundit të COVID-19 në Kosovë.

    Sipas tij, do të ketë edhe kontigjente të tjera të tyre që pritet të pranojë Kosova, javëve dhe muajve në vazhdim.

    ”Sot mund themi se është fillimi i fundit të COVID-19 në Kosovë”.

    ”Kampanja e mirë e vaksinimit, mund të krijojë zgjidhje për problemin. Sot Kosova pranoi dorëzimin e 24 mijë dozave të para të vaksinave antiCOVID-19”.

    ”Më shumë vaksina do të vijnë në javët e ardhshme, në muajt në vazhdim. Komisioni Europian është duke bashkëpunuar edhe më tutje për të siguruar dorëzimin tjetër të vaksinave të radhës muajve në vazhdim”.

    ”Dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuan për këtë arritje sot, duke përmendur kështu institucionet e Kosovës dhe të tjera përfaqësi të vendit”.

    Ardhjes së vaksinave të para në Kosovë iu gëzuan edhe ambasadorët e vendeve mike të Kosovës.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde mori pjesë sot në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave ‘Astra Zeneca’ nga Aleanca Gavi COVAX në Kosovë.

    Rohde e ka cilësuar lajm të shkëlqyeshëm arritjen e vaksinave në Kosovë, ndërsa ka premtuar se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë.

    “Lajm i shkëlqyeshëm që kontingjenti i parë i vaksinave COVAX mbërrijti në Kosovë! Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje”, ka deklaruar ai.

    “Çdo e treta euro në COVAX sigurohet nga Europa, çdo e pesta nga Gjermania. Ky është solidaritet ndërkombëtar në veprim. Vazhdoni punën e madhe Unicef”, ka shkruar Rohde në Twitter.

    I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett. Ai më pastaj nëpërmjet një postimi në Twitter është shprehur i lumtur për ardhjen e vaksinave të para në Kosovë.

    “I kënaqur që isha i pranishëm kur vaksinat e para të Kosovës arritën sonte. Shtetet e Bashkuara është një kontribuues krenare për iniciativën shumëkombëshe Covax. Së bashku ne mundemi. Vaksinohu”, shkruan Kosnett.

    Prezent në ceremoni dhe i lumtur se vaksinat kanë ardhur ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott. Ai nëpërmjet një postimi në Twitter ka falënderuar ata që kanë bërë kjo të ndodhë.

    “Sonte ne mirëpritëm mbërritjen e 24,000 vaksinave të para # COVAX në. Bravo për Ministrinë e Shëndetësisë, @WHO @gavi @UNKosovoTeam dhe donatorët që e bënë këtë të ndodhte. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar luajti pjesën tonë, me mbi £500 milion mbështetje për Covax”, është shprehur Abbott.

    Lajmin për arritjen e vaksinave e ka mirëpritur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë thirrje që vaksinimi të fillojë sa më shpejtë.

    “Arritja e vaksinave është lajm i mirë pas shumë angazhimeve nga Ministria e Shëndetësisë”, shkroi Hoti në Facebook.

    “Tani IKSHPK duhet shpejt t’i shpërndajë ato sipas strategjisë së imunizimit, ku përcaktohen prioritetet e vaksinimit.Falënderoj miqtë tanë për mbështetjen”, theksoi Hoti.

    Mbetet të shihet se kur do të fillojë vaksinimi në Kosovë dhe kur do të arrijnë vaksinat e tjera.

    Aktualisht në Kosovë janë edhe 13,726 raste aktive me koronavirus ndërsa sot është shënuar numri më i lartë i rasteve ditore me koronavirus për vitin 2021 me gjithsej 914 raste.

    Deri më sot në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur 1840 pacientë dhe janë shëruar gjithsej 72,415 nga gjithsej 87,981 persona pozitivë që nga fillimi i pandemisë.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    UEFA sot pritet të marrë vendim rreth ndeshjes Rumani-Kosovë, e cila u zhvillua të premten në Bukuresht. Ndeshja u ndërpre si shkak...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, i ka kërkuar ministrit të Bujqësisë Faton Pecit, të mos “mërzitet” dhe të mos reagojë nëse akuzat...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj e ka komentuar lajmin se Blerim Pacolli, vëllai i kryetares së Komisionit Parlamentar...
    Të tjera
    Bota/Rajoni17 Nëntor 2024
    Një sulm izraelit ndaj një pallati shumëkatësh në Gazën veriore, shkaktoi dhjetëra dhe vrarë dhe të plagosur. Ndërsa ende nuk ka një...
    Sport17 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Kosovës në grupmoshën U21 ka shënuar fitore edhe në miqësoren e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut. Sot në Maqedoninë e...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Trusti Pensional i Kosovës ka njoftuar se përkohësisht janë jashtë funksionit uebfaqja dhe shërbimi online eTrusti. Kjo për shkak të një problemi...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj, ka reaguar pas raportimit se kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi Fitore Pacolli ka ndikuar...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, po kërkohen të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë në Gjermani. Haradinaj...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.