“Ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Sot bëhen 13 vjet prej këtij momenti historik.
Këtë fjali që po e lexonte para vetës me 17 shkurt 2008 atë kohë kryeministri Hashim Thaçi, por edhe të tjerat që erdhën pas saj, për shkak të peshës së tyre historike të tyre dikush u përkujdes t`i ruante në një lëkurë, rezistente ndaj shumëçkaje.
1254 fjalët e Deklaratës së Pavarësisë, Shyqri Nimani, i hodhi në pergamenë.
“Them se ka qenë një ngjarje e madhe. Ne kemi pas fatin ta punojmë në pergamenë dhe jo në letër. Këtë e kemi marrë si dhuratë prej muzeut të Londrës. Dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe. I kemi marrë dy pjesë. Të punosh në pergamenë sa është e bukur, sa e ka “jetën” e gjatë dhe duhet të ruhet mirë, mundet me zgjat me qindra vjet”, u shpreh ai në një intervistë për Front Online.
Shteti i ri doemos duhej të kishte simbolet e veta.
Flamuri me gjashtë yje e hartën e Kosovës në mes ishte ai që u përzgjodh në mesin e afro 5 mijë propozimeve të asokohe.
Ai mban emrin e autorit, Muhamer Ibrahimi.
“E kam punu këtë version të flamurit më të cilin edhe është shpallur Pavarësia. Ideja është aspiratat e Kosovës në botën atlantike ose institucionet atlantike, Kosova tërësia territoriale. Me ngjyrën e artë e kam paraqit Kosovën që është vend i pasur dhe i dashur për të gjithë ne”, tregoi Ibrahimi për Front Online
Rrethanat historike si kjo e mëvetësisë lindën edhe ide të tjera kreative.
Një që la nam është slogani “Bac u Kry” që bëri Muhamet Jashanica me dy shokë të tij, që për protagonist kishte komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Unë ato ditë isha t`u mendu dhe patjetër natyrshëm erdhi sllogani “Bac u Kry”. Meqë ishte i pari si ide dhe ishte e fuqishme nuk kemi kqyr për slogan tjetër. Kemi vendosë që portreti i Adem Jasharit ta ketë sloganin, “Bac u Kry”, i cili ngërthen në vete sakrificën e familjes Jashari dhe shumë djemeve dhe vajzave në Kosove për ta mbërri lirinë, për ta gëzuar lirinë, atë që ne e kemi sot”, rrëfeu Jashanica për Front Online.
Për përvjetorin e sivjetëm të pavarësisë, të 13-tin në përgjithësi, Qeveria ka përzgjedhur këtë logo.