Sulmuesi kosovar “ka agjëruar” në këto 10 ndeshje sa i ka luajtur. Mediat italiane e kanë krahasuar 26 vjeçarin me ish-futbollistin Vignaroli, i cili nuk kishte arritur të shënonte po ashtu në 10 ndeshjet e para të eksperiencës laziale
Dhjetë ndeshje, zero gola. Dakord, Muriqi ka luajtur pak: 374 minuta në total.
Por, numrat mbesin këta që janë, shkruan mediumi italian “Corriere della Serra”.
Tash, Vedat Muriqi po krahasohet me dështakët e Lazios.
Në fakt, mediat italiane e kanë krahasuar futbollistin kosovar me futbollistin Fabio Vignaroli, i cili në sezonin 2007/08 i kishte zhvilluar dhjetë ndeshje dhe nuk e kishte shënuar asnjë gol.
Në atë kohë, Vignaroli 31 vjeç vinte si përforcim, por kishte dështuar.
Ai në Champions me Lazion nuk ishte as në bankinë, ndërsa i kishte zhvilluar 11 ndeshje, nëntë në kampionat dhe dy në Kupën e Italisë.
Për dallim nga Vignaroli, i cili vinte pa para pasi ishte ndarë me Barin, për Muriqin Lazio i shpenzoi plot 17 milionë euro, që me bonuse mund të shkojë deri në 20 milionë.
Muriqi arriti në kryeqytetin italian si yll nga Fenerbahçe.
Për një sulmues, presidenti Claudio Lotito kishte shpenzuar më shumë vetëm kur e kishte blerë Zaraten, i cili e kishte fituar Kupën e Italisë si protagonist, ndërsa i kishte shënuar plot 34 gola me Lazion.
Nga 22 golat e shënuar nga Lazio në 14 ndeshje në kampionat, Muriqi mbetet ende “duke agjëruar”.
“Biancocelesti” shpresojnë që përfaqësuesi kosovar të “çelet” nga janari e tutje.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë 26 vjeçari mund të huazohet ose shitet në fund të këtij sezoni.