Ish-deputeti Milaim Zeka ka folur për prindërit e tij.
Ai ka shpjeguar se si ata gjatë luftës për 10 ditë kishin mbetur pa ushqim.
“Kur është djegë Sofalia, ditën e Bajramit më 28 mars të vitit 1999, atë ditë e kanë zbardhë komplet Sofalinë dhe kanë shku për Mramor”, rrëfen Zeka në emisionin “Dhoma e rrëfimit”.
“Së bashku me këtë kolonë që kanë ikë për Mramor ka qenë edhe motra ime Halimja, me tre fëmijët, me burrin me plot njerëz. Nana dhe baba kanë ngel në mal dhe janë ushqyer prej 28 marsit deri më datën 8 prill, 10 ditë janë ushqy vetëm me ujë të shiut, duke e kullu ujin e shiut në shami të nanës”, vazhdon ai.
“Duke e parë tha baba që dojnë me na hanger sorrat, se silleshin tha sorrat mbi trupat tonë, se na kishin mbetë vetëm eshtrat, janë kthy në shtëpi në Sofali te disa njerëz që i kanë mbajtë, ata janë në Australi tash dhe i falënderoj të gjithë”, thotë Zeka.
“Nana e ka marrë albumin e fotografive të mija dhe e ka fut në dhe. I ka thënë babës: Brahim, e kam parandjenjën që kanë me na vra serbët, por s’po du me mi marrë syretat e djalit”, tregon Zeka.
Ai ka thënë se po punon në një film të ri dhe titulli do të jetë “Mos ma djeg fotografinë”.