Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agron Shalës, Bashkim Tahirit, Naim Toqanit dhe Osman Toqanit, të cilët po akuzoheshin për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ka thënë se të akuzuarit janë liruar nga akuza meqenëse nuk është provuar se të njëjtin kanë kryer veprat penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai bëri të ditur se shpenzimet procedurale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës, ndërkaq i njëjti ka udhëzuar palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 dhjetor 2016, Agron Shala e Bashkim Tahiri, në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tani të dëmtuarit, Artan Shala, i kanë dhënë para me fajde.
Akti akuzues thotë, se në shkurt të vitit 2012, i pandehuri Agron Shala, i ka dhënë borxh 16.500 euro borxh të dëmtuarit, të cilat i ka marr nga i pandehuri Bashkim Tahiri me kamatë mujore nga 1600 euro. Këtë kamatë, aktakuza thotë se i dëmtuari ia ka paguar të pandehurit Agron Shala deri në muajin mars 2014, e më pastaj të njëjtën kamatë në gjashtë këste ia ka paguar Bashkim Tahirit, ku në emër të asaj kamatë u ka dhënë 50.000 euro.
Tutje, thuhet se i pandehuri Agron Shala, në emër të një kësti të kamatës ia ka marr edhe lokalin me sipërfaqe 12 m2, që gjendet në rrugën “Xhemajl Ibishi” te Koçavët, lokal të cilën i dëmtuari e kishte mbajtur në posedim.
Organi i ndjekjes thotë se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “fajdeja”.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Osman e Naim Toqani, në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë të të dëmtuarit Artan Shala i kanë dhënë para me fajde.
Akti akuzues thotë se në muajin shtator të vitit 2012, i pandehuri Osman Toqani i ka dhënë të dëmtuarit 5000 euro me kamatë nga 500 euro në muaj, ndërsa në dhjetor të po atij viti i anë dhënë edhe 5000 euro të tjera me kamatë prej 500 eurosh, kamatë të cilën i dëmtuari ia ka paguar herë Osman Toqanit e herë Naim Toqanit.
Këtë pagesë thuhet se i dëmtuari e ka bërë deri në shtator të vitit 2014, në shumë të përgjithshme rreth 30.000 euro si dhe më pas u ka paguar borxhin në shumë prej 10.000 euro.
Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “fajdeja”.
Tutje në dispozitivin e tretë të aktakuzës, thuhet se Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim e Osman Toqani, i kanë detyruar të dëmtuarit Artan E Labinot Shala që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre duke i kërcënuar në format më të ndryshme, për çfarë i dëmtuari Artan Shala ka qenë detyruar të rri i fshehur për një kohë të gjatë.
Akuza thotë se duke u telefonuar anëtarëve të familjes së tyre, iu kanë kërkuar shuma të mëdha parash, ndërsa në muajin shtator të vitit 2014, rreth orës 18:00, afër shkollës “Model”, i pandehuri Bashkim Tahiri së bashku me 4 persona deri më tani të panjohur kanë ndaluar në rrugë të dëmtuarin Artan Shala.
Tutje, thuhet se më pas në vend të ngjarjes ka shkuar edhe i pandehuri tjetër Agron Shala, i cili e ka thirr me telefon të dëmtuarin Labinot Shala duke e detyruar atë që të ju sjellë para. Të dëmtuarin Artan Shala thuhet se e kanë mbajtur derisa Labinot Shala u ka sjellje shumën e parave prej 2000 euro e as disa ditësh të pandehurit Agron Shala, Bashkim Tahiri, Naim e Osman Toqani kanë shkuar te objekti “Auto Center”, e cila është pronë e të dëmtuarve.
Aty thuhet se kanë vendosur drynat nëpër dyer të lokaleve dhe kanë kërcënuar motrën e të dëmtuarve, Saranda Shalën, se nëse nuk u jepen paratë do ta kallin objektin.
Ndërsa, tutje akti akuzues thotë se Agron Shala në emër të një kësti të kamatës prej 1600 euro i ka marrë lokalin të cilin e kanë poseduar të dëmtuarit me sipërfaqe rreth 12 m2 që gjendet në rrugën ” Xhemajl Ibishi” në Prishtinë dhe në rastet kur të dëmtuarit i kanë vonuar këstet të pandehurit e kanë rritur kamatën deri në 1000 euro për çdo ditë vonese
Me këtë prokuroria pretendon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “detyrimi”.