Tregu i trafikimit të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor arrin shumën vjetore prej së paku 50 milionë euro. Kështu thuhet në raportin e fundit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar që është botuar sot me titull: Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor.
Sipas këtij raporti, që e posedon portali “Front Online”, Ballkani Perëndimor është një udhëkryq për trafikimin e paligjshëm të mallrave, si dhe një qendër gjeografike për kontrabandën e emigrantëve, të cilët synojnë Evropën Perëndimore si destinacion të fundit.
Në këtë rast përmendën edhe emigrantët nga Kosova, të cilët vite më parë shfrytëzuan turmat e emigrantëve që kalonin në rajon për të kërkuar azil në shtetet perëndimore.
Harta e detajuar e rrugëve të trafikimit të drogës
Përpos trafikimit të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor, raporti sjell një hartë të detajuar të rrugëve të trafikimit tw drogave, duke nënvizuar vlerën që drogat marrin, teksa lëvizin përmes kufijve, duke treguar çmimet e shumicës dhe pakicës në disa pika kyçe në rajon, të cilat janë nyje trafiku apo tregje të drogës.
Trendet e reja që vihen re në rajon për sa i përket drogave, përfshijnë:
Sasinë e rritur të kultivimit të kanabisit (veçanërisht në ambientet e brendshme) në vende të tjera përveç Shqipërisë, si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia;
Fluksin e madh të kanabisit nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bullgarisë;
Fluksin e kokainës nga drejtime të ndryshme, duke përfshirë Kroacinë, Greqinë dhe portet e Detit të Zi në Bullgari dhe Rumani.
Rritjen e prodhimit dhe përdorimit të drogave sintetike.
Shumë nga zonat e nxehta, të identifikuara në këtë raport – të cilat janë kryesisht në rajonet kufitare – janë të prira të zhvillojnë një sërë aktivitetesh kriminale, duke përfshirë edhe trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Këto lokacione janë të njohura e megjithatë në to, përveç kanabisit, ka pak konfiskime të drogave apo arrestime të krimineleve të rëndësishëm, gjë e cila të bën të mendosh se ekziston një ombrellë mbrojtëse që sjell përfitime dhe ruan status quo-në.
Raporti del në përfundimin se “flukset e njerëzve, drogave dhe parave përgjatë Ballkanit Perëndimor nuk ndjekin linja të drejta si vektorët në një hartë.”
“Ata ndërmarrin shpesh distanca të shkurtra dhe kryejnë rrugë të ndryshme në varësi të vështirësive dhe mundësive”, – thekson Walter Kemp, një nga autorët e raportit.
“Trafikantët dhe ata që pastrojnë paratë e tyre joshen nga pikat kufitare, bizneset apo sistemet bankare me risk të ulët. Shumë transaksione në ‘botën e nëndheshme’ bëhen të mundura nga bashkëpunimi me ‘botën në sipërfaqe’.”
Kanabisi nga Shqipëria në Kosovë, çmimi për kilogram deri në 1400 €
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten një rajon kryesor tranzit për trafikimin e kanabisit dhe heroinës dhe gjithnjë e më shumë kokainës dhe drogave sintetike, bëhet e ditur mes tjerash në këtë raport.
“Në përgjithësi kanabisi transportohet nga Shqipëria, ndërsa heroina nga Turqia, duke kaluar kryqëzimin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës përpara se të dërgohen në Evropën Perëndimore dhe Qendrore”.
Sipas raportit, kanabisi është droga më e përdorur në Ballkanin Perëndimor, e cila sekuestrohet më së shpeshti.
“ Ndërsa Shqipëria ka qenë tradicionalisht prodhuesi më i madh, kultivimi ka rënë ndjeshëm që nga kulmi në 2016, pas një goditje të madhe nga Zbatimi i ligjit shqiptar. Për më tepër, ka prova që sugjerojnë se kultivimi i kanabisit po bëhet në ambiente të mbyllura dhe kjo dukuri është në rritje në vendet e tjera të rajonit”.
Në Shqipëri, kanabisi rritet kryesisht përreth malësisë së Dukagjinit dhe Krujës, dhe në rajonin e Vlorës. Një kilogram kanabis nga prodhuesit vlerësohet se shitet ndërmjet 1 200 € dhe 1 400 €.
Nga Shqipëria, në Kosovë trafikohen përmes Kukësit ose Prizrenit, pastaj përmes Ferizajt dhe Gjilanit. Nga këtu, rruga më e zakonshme është për në Serbi përmes pikave të kalimit të Karaçevës së Ulët dhe Stublinës.
Çmimi i kokainës me pakicë në Kosovë, Mal të Zi
Sipas vlerësimeve të UNODC, rreth 60 deri 65 ton heroinë rrjedhin përmes Evropa jug-lindore çdo vit. Ka indikacione se dërgesat e mëdha të heroinës ruhen në rajon përpara se të ndahen në dërgesa më të vogla, thuhet ndër të tjera në raport që e posedon “Front Online”.
Vlerësohet se çmimi me shumicë i një kilogram heroinë në Turqi është rreth 10 000 € deri 13 000 €.
Ndërsa grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë lojtarët kryesorë në biznesin global të kokainës. Kostoja me shumicë e një kilogram kokainë në Beograd është midis 35 000 dhe 50 000 €.
Kokaina që hyn në Shqipëri zakonisht vjen përmes portit të Durrësit. Është vlerësuar se çmimi për kilogram të kokainës 90% të pastër sillet midis 25 000 € dhe 30 000 €.
Në Malin e Zi, për shembull, mund të blihet gjysmë grami kokainë për 40 – 45 €. Në Kosovë, marrëveshja më e popullarizuar është 0.6 gram kokainë për rreth 55 € – 60 €.
“Është e habitshme se sa pak autoritetet dinë ose se sa pak informacione ato duan të ndajnë për sa i përket të dhënave mbi çmimet e drogave, pastërtisë së tyre, sekuestrimeve dhe vesit të përdorimit të tyre, përfshirë dhe pastrimin e parave”, – thekson një nga autorët e raportit, Ruggero Scaturro.
“Për të zhvilluar politika të bazuara mbi evidencat, në duam më shumë fakte – jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në zonat e nxehta dhe nivel rajonal”./Front Online/