×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Zyrtarët policorë të dyshuar për mashtrim, vazhdojnë të marrin pensionin e invalidit të luftës

    FrontOnline
    10 Nëntor 2020

    Inspektorati Policor i Kosovës, në korrik të këtij viti ka ngritur kallëzim penal ndaj 141 zyrtarëve policorë, për dyshimet për mashtrim. 94 prej tyre po vazhdojnë të marrin pensionet për çrregullim mendor, përkundër që në vitin 2018 janë ekzaminuar dhe të njëjtit kanë rezultuar që nuk kanë tashmë probleme.

    Kjo është bërë e ditur sot nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

    Sipas tij, IPK që nga viti 2017 ka filluar hetimin paraprak në drejtim të mashtrimeve të disa zyrtarëve policorë. Ai tha se këta të fundit, përveç që kanë gëzuar statusin e zyrtarëve policorë, kanë gëzuar edhe atë të invalidëve të luftës.

    “Duke parë dyshimet që mund të ketë mashtrim te këta zyrtarë, për shkak se në kushtet dhe kriteret për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës, duhet aftësia apo të jenë të shëndetshëm në masën 100 për qind, dhe gjithë këta zyrtarë kur janë pranuar në punë janë paraqitur si persona, të cilët nuk kanë probleme shëndetësore, dhe kanë dëshmuar në komisionet shëndetësore që janë persona me aftësi të plotë. Në të njëjtën kohë dyshimet kanë qenë se disa prej këtyre zyrtarëve në komisionet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë paraqitur dokumente që kanë dëshmuar se kanë probleme shëndetësore, duke përfshirë edhe probleme mentale. Pas kësaj ne kemi biseduar me Prokurorinë Speciale, zyrtarët hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, fillimisht është marrë një autorizim për të ndërmarrë hetime fillestare, janë ndërmarrë dhe është dërguar një raport informues në Prokurorinë Speciale të Kosovës, i cili ka kërkuar që të ndërmerren autorizime shtesë”, ka njoftuar Hodaj.

    Ndër tjera, ka bërë të ditur që së fundmi është ngritur një kallëzim penal për 141 zyrtarë policorë, nën dyshimin e veprës penale të mashtrimit. Përkundër që është konstatuar në vitin 2018, se të njëjtin gëzojnë shëndet të plotë, të njëjtit vazhdojnë të marrin pension të invalidit të luftës.

    “Në bazë të këtyre veprimeve hetimore ka rezultuar se 148 zyrtarë policorë e gëzojnë pensionin të invalidit të luftës. Ku vazhdojnë me qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe 94 prej tyre janë persona të cilët në bazë të dosjeve të tyre kanë pasur probleme edhe të shëndetit mental. Duke u bazuar në këtë, janë kërkuar raporte nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, gjithashtu në bazë të këtij dokumentacioni kanë ardhur te ky përfundim se këta 94 zyrtarë do të paraqesin dokumentacion që kanë probleme të shëndetit mental. Duke u bazuar në këtë në vitin 2018, IPK ka kërkuar dhe rekomanduar për shkak edhe të hetimit dhe për shkak të këtij ekzaminimi që të kërkohet suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë. Nuk është realizuar ky rekomandim i yni dhe në të njëjtën kohë PK ka kërkuar ekzaminim rishtazi për të gjithë zyrtarët policorë, dhe janë dërguar në një institucion shëndetësor të cilën e ka kontraktuar policia. Pas këtij ekzaminimi që të gjithë kanë rezultuar se janë me shëndet të plotë fizik dhe mental”, tha Hodaj.

    Mbledhja e këtij komisioni është mbajtur lidhur me kërkesën e Veton Elshanit dhe 175 zyrtarëve të tjerë policorë që janë invalidë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky i fundit është ankuar se i janë publikuar të dhënat.

    Për këtë, anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu ka ngritur këtë shqetësim lidhur me publikimin e të dhënave të këtyre personave në media. Sipas saj, një veprim i tillë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

    “Këta zyrtarë kanë fituar statusin e invalidit para se të hyjë ligji në fuqi dhe para se t’i jepet e drejta për kompensim. Ju thatë që është bërë ekzaminimi rishtazi i të gjithëve 94 me probleme mentale. A jeni të sigurt që të gjithë, sepse unë kam të dhëna tjera, që nga këta zyrtarë, konkretisht të zotëri Elshanit që është bërë prapë edhe një herë një rivlerësim të komisionit dhe ka rezultuar me përqindje të njëjtë të invaliditet? A jeni ju të sigurt që të gjithë kanë dalë të shëndoshë? Ajo që na ka shqetësuar më së shumti janë publikimi i të dhënave. Këtu në Kosovë është bërë një rast që nuk duhej të ndodhte në institucione”, tha Haxhiu.

    Për këtë, Hodaj tha se 94 prej këtyre zyrtarëve në vitin 2018 u janë nënshtruar ekzaminimeve psikiatrike, dhe që të njëjtit nuk i plotësojnë këto kritere. Mes tjerash, ai u shpreh i bindur se nuk kanë informacione dhe dyshime se këto të dhëna kanë dalë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

    Për këtë ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, e cila tha se është shqetësuese që ky institucion nuk ka asnjë dyshim se këto informacione kanë dalë nga vetë IPK.

    “Ju zotëri thoni se IPK nuk ka asnjë më të voglin dyshim për rrjedhën e këtij informacioni. A është kjo që po thoni ju, pasi nesër mund të ketë një tjetër hetim që vërteton gjëra tjera, mirëpo si zot i kësaj shtëpie ku ju jeni përgjegjës, fjala juaj ka shumë rëndësi në këtë rast. Ju keni deklaruar sot këtu që nuk ka asnjë dyshim dhe as ju personalisht nuk keni asnjë dyshim që këto informacione kanë rrjedh. Ndërkohë që paraprakisht tregoni që nuk keni bërë asnjë investigim më të vogël për këtë”, ka thënë ajo.

    Edhe deputetja tjetër opozitare nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci theksoi se pavarësisht që kanë kaluar tri vjet, prej kur ka filluar hetimi i këtij rasti, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

    “Për mua është goxha shqetësuese ky proces për shkak se në bazë të dhënave që kemi marrë deri më tani, e para, ndryshon vendimi për çka hetohen, dallon prej kërkesës së parë me kërkesën e dytë. Nëse ka pasur të dhëna të mjaftueshme në bazë të vendimit të parë, pse ka ndërruar dhe për çfarë hetohen këta persona? Është shqetësuese për mua”, tha ajo.

    Ndërsa, deputetja Valdete Idrizi tha se është për keqardhje se si janë publikuar të dhënat për këta policë, pasi me këtë sipas saj, është bërë linçim publik i zyrtarëve policorë.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, ka folur për premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Për të...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Sot shënohet dita e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti bashkë me Nait Hasanin dhe Bislim...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, për FrontOnline, ka folur për premtimin...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Që prej përfundimit të Zgjedhjeve Lokale 2021 dhe deri në muajin gusht të vitit 2024, rreth 40 mijë emra të personave të...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kanë kaluar më shumë se 25 vite që nga lufta e armatosur në Kosovë, ndërsa familjarët e 1643 personave të zhdukur ende...
    Lajme17 Nëntor 2024
    ‘’Me qeverisjen tonë, Shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm’’ kështu kishte deklaruar Albin Kurti, ditën kur ishte betuar si kryeministër i Kosovës, para...
    Bota/Rajoni17 Nëntor 2024
    Udhëheqësi kinez, Xi Jinping është zotuar të punojë me presidentin e ardhshëm Donald Trump në takimin e tij të fundit me liderin...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Buxheti vjetor komunal është thelbësor për financimin e projekteve të ndryshme. Ai siguron shërbime cilësore për qytetarët dhe kontribuon në zhvillim ekonomik...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot do të mbajë një tubim në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.