Në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, sot ka dhënë dëshminë e tij Mustafë Gashi nga Qendra operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai ka bërë të ditur se babi i Agon Musliut, i cili kreu vetëvrasje gjatë kohës së karantinës, iu kishte dhënë leja për të lëvizur vetëm në Aeroportin e Prishtinës.
Sipas tij, kërkesa e babait të Musliut ka ardhur në këtë qendër nga Qendra operative e Gjilanit në bazë të së cilës thuhej se babai i Agon Musliut kërkon leje për qarkullim në Aeroportin e Prishtinës për të marrë djalin e tij.
Ai tha se ka qenë e bashkangjitur edhe një dokument që tregon se Agon Musliu kishte probleme me mëlçinë.
Gashi tutje tha se ata kanë lëshuar leje vetëm për qarkullim e jo për ta marrë djalin, sepse kjo ka qenë edhe kompetenca e ekipit mjekësor.
Gjatë ditë së sotme para Komisionit hetimor për menaxhim të pandemisë ishte paraparë të intervistohej edhe Zenel Hysenaj, menaxher i Qendrës karantinë, por për shkak të gjendjes shëndetësore të infeksionit me COVID nuk ka mundur të lidhet në mënyrë virtuale.
Para këtij komisioni është paraparë të jep dëshminë e saj edhe Valza Oruqi nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por që intervistimi është shtyrë për ditën e nesërme.
Ndryshe, në fillim të majit, 26-vjeçari Agon Musliu kishte gjetur vdekjen pasi ishte hedhur nga kati i katërt i Qendrës Studentore në Prishtinë që shërbente si karantinë.