Ambasadorët e QUINT-it, i cili përbëhet nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, janë takuar sot me koordinatoren për zgjedhje Laura Pula dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore të zbatimit të ligjit që janë pjesë e memorandumit për mbrojtje të votës, për të diskutuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ata me këtë rast kërkuan nga përfaqësuesit e institucioneve vendore të zbatimit të ligjit që të angazhohen dhe sigurojnë proces zgjedhor të drejtë dhe të sigurt.
Ndërkaq, koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, i ka njoftuar ambasadorët e QUINT-it, me veprimet e ndërmarra nga viti 2013 e deri më tani nga Prokurori i Shtetit, ku ka theksuar se çdo herë që janë mbajtur zgjedhjet kanë pasur rolin e vetëm për mbrojtjen e votës së qytetarëve.
Ajo ka potencuar se për zgjedhjet e 14 shkurtit janë caktuar 88 prokurorë kujdestarë në tërë territorin e Kosovës, të përcjellë nga 40 stafe mbështetëse, ku do të punojnë në ekipe të përbashkëta me hetuesit e policisë dhe se Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës do të hetojnë dhe ndjekin penalisht çdo pretendim për mashtrim, ryshfet dhe shkelje të tjera penale lidhur me zgjedhjet.
Koordinatorja Pula ka bërë apel te qytetarët që ka prova për mashtrim, sjellje të pahijshme dhe parregullsi të procesit zgjedhor të paraqitet dhe t’i raportojë ato te Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit.