Donald Trump ka publikuar prova që dëshmojnë se në garën e fundit politike rezultojnë të kenë votuar edhe persona të cilët kanë vdekur vite më parë.
Pretendimet e fundit i shtohen akuzave se disa shtete amerikane kanë pranuar fletëvotime me postë pas orarit të zgjedhjeve, kanë hedhur fletët e votuesve me bindje proqeveritare dhe u kanë ndaluar zyrtarëve konservatorë të drejtën e vëzhgimit të procesit nga afër.
Ekipi elektoral i republikanit zbuloi të paktën katër raste të personave të ndarë nga jeta nga 2003-shi te viti i shkuar, porse identiteti i tyre u përdor për të votuar në zgjedhjet presidenciale.
Trump publikoi edhe një video për të shtyrë idenë e tij se fletëvotimet u administruan në mënyrë të papërgjegjshme.
Në shtetin e Xhorxhës, të mërkurën, u vendos të rinumërohen të 5 milionë votat aktuale brenda 20 nëntorit, për të hequr çdo hije dyshimi për manipulime.
Demokratët atje kryesojnë me një diferencë prej gati 14 mijë votash.
“Diferenca është shumë e ngushtë dhe çdo votë do duhet të rinumërohet me dorë. Kjo themi se do e rritë besimin në proces. Do të ketë auditim, rinumërim dhe kontakte direkte me votuesit.”
Sipas Trump mediet amerikane qëllimisht nuk po i raportojnë rastet e parregullsive në votime sepse janë bërë palë me kundërshtarin e tij.
Kreu i shtetit po tenton që me anë të gjykatave ta përmbysë rezultatin në shtetet me diferencë të vogël votash, prandaj ka refuzuar të pranojë humbjen.
Rezultati i zgjedhjeve ende nuk është certifikuar, por demokrati Joe Biden kryeson dukshëm në bazë të të dhënave paraprake, duke marrë 290 nga 270 votat elektorale që i duhen për të marrë presidencën e SHBA-së nga data 20 janar e vitit tjetër.