Autoritetet e Tanzanisë njoftuan sot se kanë në plan të përfshijnë helikopterë në shuarjen e zjarrit që ka shpërthyer tash e pesë ditë në malin Kilimanxharo, duke thënë që zjarri ishte më i fortë nga sa mendonin fillimisht dhe se grupe alpinistësh ishin evakuuar.
“Ne jemi ende duke luftuar zjarrin. Puna është më e vështirë nga sa kemi menduar më parë. Sfida janë erërat e forta, bari i thatë dhe bimët,” tha ministri i Turizmit, Hamisi Kigwangalla.
“Sapo të përmbushim detyrat e sotme mund të fillojmë të përdorim helikopterë dhe aeroplanë për të shuar zjarrin,” shtoi ai.
Ndërkohë, alpinistë të huaj u evakuuan gjatë natës së kaluar, tha një grup udhëheqësish alpinizmi.
“Përveç grupit tim zviceran, kishte pesë deri në gjashtë grupe të tjera që duhej të çmontonin çadrat në mesnatë”, tha Henning Schmidt, një udhëzues gjerman për majën më të lartë të Afrikës, duke shtuar se “zjarri po përhapet gjithnjë e më shumë”.
Fotografitë satelitore tregojnë një përhapje të qartë të zjarrit dhe një grup alpinistësh gjermanë, austriakë dhe zviceranë konfirmuan sot se kishte erëra të forta dhe se një shtresë e trashë hiri mbulonte çadrat e tyre.
Zjarri shpërtheu të dielën dhe zyrtarët thanë se u dogjën 28 kilometra katrorë bimësi. Ata thanë se rreth 500 njerëz po punojnë për shuarjen e zjarrit.