Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë arritur në përfundimin se vaksinat aktuale antiCOVID-19 janë efektive kundër një lloji të ri të koronavirusit të zbuluar në Britaninë e Madhe, njoftoi sonte qeveria gjermane.
“Sipas gjithçka që ne aktualisht dimë dhe sipas diskutimeve të ekspertëve evropianë, lloji i ri nuk ndikon në vaksinat dhe ato mbeten efektive,” tha ministri i Shëndetësisë Jens Spahn.
“Ky është një lajm shumë i mirë”, shtoi ai në një prononcim për televizionin shtetëror gjerman ZDF.
Ai foli në veçanti për efektin e vaksinës Pfizer / BioNTech, e cila tashmë po përdoret në disa vende të botës dhe së shpejti do të merr aprovimin nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Një takim ekspertësh nga vendet e BE mbi këtë temë u mbajt sot, tha një zëdhënës i ministrisë.
Një mutacion i ri i koronavirusit është zbuluar në Britani të Madhe dhe një numër vendesh evropiane kanë reaguar duke pezulluar fluturimet nga ishulli. Londra ka njoftuar gjithashtu kufizime të rrepta për lëvizjen në disa pjesë të vendit.
Londra ka njoftuar se lloji i ri i koronavirusit po përhapet 70 për qind më shpejt se ai i mëparshmi.
Disa raste janë raportuar në Danimarkë (nëntë) dhe nga një në Holandë dhe Australi, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Gjermania, e cila kryeson Presidencën e BE-së, ka thirrur për nesër një takim krize të ekspertëve nga vende të ndryshme për të koordinuar një përgjigje ndaj kërcënimit të ri, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Bëhet fjalë për një takim të Mekanizmit Evropian të Krizave (IPCR) të cilit BE i drejtohet në raste të kërcënimeve të mëdha shëndetësore, mjedisore dhe terroriste.