Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar një datë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në kryeqendrën evropiane thonë se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret sa më shpejtë që të krijohen kushtet, e një gjë të tillë e pohojnë edhe nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon stopim të tërësishëm të dialogun në këto rrethana politike.
Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress, nuk i bënë të ditura cilat tema do të trajtohen në takimin e radhës në Bruksel, por thotë se së shpejti do të caktohet data dhe agjenda.
“Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, po vazhdon dhe po avancon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Takimi i radhës i dialogut të nivelit të lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur, varësisht kur lejojnë kushtet. Kur bëhet fjalë për takime në nivel ekspertësh, ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm kurdo që është situata e përshtatshme”, thotë ai.
E këshilltarja politike e kryeministrit Hoti, Antigona Baxhaku thotë për KosovaPress, se takimet e radhës në Bruksel po diktohen vetëm nga pandemia Covid 19, e jo nga ndonjë pengesë tjetër.
“Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet e radhës, sepse gjithçka po diktohet nga situata me pandeminë C-19. Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër”, u shpreh ajo përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Zgjidhja më e mirë për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi është që vetëm pas zgjedhjeve të reja të rifillojë dialogu me Serbinë.
Abrashi: Zgjidhja më e mirë në këto rrethana është që të stopohet ky dialog
“Zgjidhja më e mirë në këto rrethana është që të stopohet ky dialog. Të kemi një qeveri e cila është e fortë, ka legjitimitet dhe buron drejtpërdrejtë nga vullneti i qytetarëve. Përndryshe qeveria Hoti nuk e ka as mundësitë, as numrat, as dijen e asgjë për të mbrojtur interesin e Kosovës në këtë proces”, thotë ai.
Ndërkaq, Allen Meta nga D4D thotë se dialogu duhet të rinisë, pasi asnjëra prej dy vendeve nuk e luksin të mbajnë konfliktin e ngrirë ndërmjet veti.
Meta: Kosova dhe Serbia nuk e kanë luksin të mbajnë një konflikt të ngrirë ndërmjet veti
“Dialogu është zgjidhja më e mirë e problemeve. As Kosova, e as Serbia nuk e kanë luksin të mbajnë një konflikt të ngrirë ndërmjet veti. Për të mirën e qytetarëve ,e po ashtu për të ardhmen e dy vendeve brenda BE-së është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.
Takimi në muajin shtator ka qenë i fundit ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Fillimisht u shpërfaqën dallimet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e së fundi me arrestimin e ish krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale pati kërkesa që të pezullohet dialogu edhe nga vet partnerët e koalicionit qeverisës.