Komuna e Kamenicës së bashku me IADK-në, sot kanë bërë shpërndarjen e motokultivatorëve me mjetet përcjellëse për nëntë përfitues.
Projekti “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, i ka mundësuar fermerëve të rinj të aftësohen më shumë në fushën e menaxhimit të fermave, teknikave të prodhimit dhe përgatitjen e planeve të bizneseve.
Shpërndarja e këtyre motokultivatorëve është pjesa e fundit e këtij projekti për vitin 2019, i cili i ka mundësuar secilit përfitues mjete të punës në vlerë afër tre mijë euro, ndërkohë që projekti i njëjtë do të vazhdojë edhe në dy vjetët e ardhshëm.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se është i lumtur që po ndihmohen fermerët, sepse Kamenica ka kushte të mira gjeografike dhe klimatike për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore.
“Në këtë qeverisje mbështetja për të gjitha kategoritë ka qenë më e madhja, sidomos për fermerët e komunës sonë. Krejt kjo, për shkak të pozitës gjeografike e kushteve klimatike që ka Kamenica për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore. Sot përsëri bashkë me organizatën IADK, fermerëve të rinj po u ofrojmë mjete të punës të cilat do e lehtësojnë veprimtarinë e tyre. I lumtur që si qeverisje po ofrojmë mundësi e mbështetje për të gjithë. Urime përfituesve!”, ka thënë Kastrati.
Edhe drejtori i DBPZHR-së, Naim Arifi gjatë shpërndarjes së këtyre motokultivatorve ka falënderuar IADK-në, për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën e Kamenicës.
“Jam i lumtur që sot me shpërndarjen e këtyre motokultivatorëve me mjetet përcjellëse komuna dhe drejtoria që unë udhëheq është duke i ndihmuar në vazhdimësi fermerët e komunës sonë. Jam shumë falënderues edhe ndaj IADK-së për mbështetjen e ofruar për Kamenicën. Komuna dhe DBPZHR është gjithmonë një hap më afër fermerëve”, shtoi Arifi.
Ndёr objektivat kryesore të këtij projekti është pёrkrahja e të rinjve qё nuk janё nё marrëdhёnie pune dhe të cilët janë të gatshëm të inkuadrohen në fushën e bujqësisё.