Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka treguar edhe një herë refuzimin e kësaj partie ndaj projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Rexhep Selimi ka deklaruar se UÇK nuk meriton një trajtim të tillë nga deputetët e Kosovës.
Në seancë plenare ku pritet edhe votimi i këtij projektligji, ai theksoi se nuk ua falin sjelljen e keqe ndaj UCK-së.
“Pikërisht UÇK-ja nuk e meriton një trajtim të tillë, prandaj ne po e refuzojmë që ta trajtojmë UÇK-në siç po e trajtoni ju. Refuzimi jonë nuk është kundër UCK-së, përkundër abuzimit tuaj me këtë emër të shenjtë. Silleni sa herë të doni, siç po thoni në kuvend, të njëjtën përgjigje do ta keni. Prandaj kërkoj prej jush, ju lus, që të silleni më mirë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe mund të ja falim ndonjë sjellje të keqe me neve, por sjelljen e keqe me UÇK-në nuk ua falim”, ka thënë Selimi.
Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe ai për Rimëkëmbjen Ekonomike në seancat e kaluara nuk kanë pasur votat e nevojshme për miratim, madje ky i fundit ka dështuar pesë herë për miratim në mungesë të kuorumit dhe mos përkrahjes nga opozita.