Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se qeveria nuk do të kursehet në blerjen e vaksinës antiCOVID në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht çmimit.
Në një konferencën për shtyp kryeministri kritikoi ashpër pjesëmarrjen në ditëlindjen e një aktori të presidentit Ilir Meta dhe shefes së LSI Monika Kryemadhi.
“Shembull skandaloz presidenti, zonja e parë dhe çeta e tyre. Është e qartë për të gjithë. Nuk mund të ketë grumbullime mbi 10 persona. Na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut me ligjin dhe shëndetin e të tjerëve. Na duhet të reduktojmë aktivitetet në 10 veta”, tha Rama.
Pretendimin e opozitës se mësuesit nuk deklarojnë të qenit pozitiv me COVID pasi mund të humbin vendin e punës, kreu i qeverisë e quajti skandaloz dhe lajm të rremë.
“Është absurditet kush thotë se është me COVID humb vendin e punës. Teatër absurd i Lulzim Bashës me aktorë. Rreth tij vinë si fanatik të partisë. Nuk ndodh. Kush mund ta konceptojë se mësuesi humb vend pune kur sëmuret”, tha ai./tch