Pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, ekzekutivi sot miratojë masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19, të cilat pritën të hyn në fuqi nga dita e premte në orën 19:00. Ndërkohë që Qeveria ka ndërmarr masa të reja, e të cilat janë ndarë në dy grupe në ato që vlejnë për tërë territorin e Kosovës dhe ato specifike për komunat veç e veç, qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështje.
Për qytetarin Faik Gashi, vendosja e masave të reja ka qenë e nevojshme pas rritjes së numrit të infeksionit, për çka vlerëson se do të jenë të efektshme.
“Unë mendoj se do të jenë të efektshme, mirëpo të shohim. I gjithë rajoni është në të njëjtën gjendje as më mirë e as më keq, kujdesi është i domosdoshëm”, thotë ai.
Derisa qytetarja Synavere Balaj, akuzon udhëheqësit e shtetit për faktin se nuk po sigurojnë kushte për jetesë në rastin e implementimit të masave.
“U kënaqën duke na bërë masa të reja, këta me u kanë me e ditë njëherë qysh populli është në vuajtje edhe në varfëri ma mirë është kanë për ta se me na bë masa të reja neve. Shtetet e tjera i kanë kushtet krejt ndërsa për neve nuk mërzite askush a kemi me ngrenë a me pi, a kemi të sëmurë, a marrim rroga a nuk marrim hiq që jemi në 0 me punë, këta duhet këto sene me i mendu jo karantinimin”, thotë Balaj për KosovaPress.
Ndërkaq, qytetari Muhamet Hasimi, shprehet kundër masave të reja. Për të më e efektshme do të ishte rritja e dënimit se sa karantinimi.
“Çka me të thanë nuk po din as këta çka po bëjnë, jo kështu jo ashtu. Secili duhet me u ruajt nuk e di a budall janë këta njerëz a çka. Kurrfarë masa kurrë nuk kisha marrë dënoje jo 35 euro po 200 euro apo 500 euro o vallahi kush nuk kish me guxu me dal pa maskë. Shumë palidhje 1 javë 2 javë një qytet e bllokon se bllokon. Veç duhet me i rrit dënimet, ne pa tut nuk dimë me funksionu pak me ia lëshu krejt si dhentë bëhen tub”, thotë Hasimi.
E sportisti, Aziz Salihu, i bën thirrje popullit të mbajë maskën.
“E lus popullin me i vendos maskat një 1 javë ditë dhe të shohim a ndihmon”, thotë Salihu.
Masa më të ashpra janë vendosur për komunat që janë në “zonën e kuqe” si Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, ku aktiviteti ekonomik është lejuar të zhvillohet nga ora 05:00-19:00, pas kësaj ore do të mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.519 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 733 raste pozitive. Kurse janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.