Partia Demokratike e Kosovës do të përfshihet në zgjedhjen e presidentit vetëm nëse ofrohet një kandidat konsensual i gjithë spektrit politikë. Në të kundërtën shprehën të gatshëm për të shkuar edhe në zgjedhje të reja.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi në një intervistë për KosovaPress, thotë së nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, është përgjegjësi ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa rikonfirmon qëndrimin kundër Vjosa Osmanit që të zgjedhet presidente.
Gjoshi: Votojmë vetën nëse kemi një president që përfaqëson unitetin e popullit
“Ne do ta japim kontributin vetëm nëse do të kemi një president i cili do përfaqësonte unitetin e qytetarëve dhe spektrit politik… Kurdo që të jetë në rend të ditës tema e presidentit ne do të bashkëbisedojmë si parti udhëheqëse e opozitës me partitë tjera opozitare për të shikuar mundësinë e një personi konsensual. Për këtë jemi të hapur të bisedojmë edhe me ata që i kanë fituar zgjedhjet. Nëse mund të arrijmë tek një person që mund të përfaqësojë unitetin e popullit dhe spektrit politik, ne do ta mbështesim”, thotë ai.
Megjithëse i mirëpret zgjedhjet e reja, Gjoshi thotë se ato nuk i po kërkon PDK-ja, por ka tendenca të Albin Kurtit për mos të gjejë një zgjidhje për çështjen e presidentit në mënyrë që vendi të shkojë sërish para kutive të votimit.
Gjoshi: Jemi të gatshëm për zgjedhje
“Është përgjegjësi e fituesit. Fituesi i zgjedhjeve i ka fituar votat e qytetarëve për me i ndërtu institucionet. Ata duhet të jenë për ta treguar një sjellje karshi partive tjera, e cila do t’i binte ata të votojnë një kandidat të pranueshëm. Nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia e është e qartë…Deri më tani nuk kemi pa një interes të Albin Kurtin që t’i bëjë Vjosa Osmanin presidente. Përndryshe do të kishte një renditje tjetër të temave. Fillimisht nëse do të ishte i interesuar punën e parë do të kishim zgjedhjen e presidentit, por ai dëshiron të akomodojë vetën dhe argatët e partisë në kuadër të qeverisë së ardhshme. Mandej nëse gjanë mundësi me bërë presidentin mirë, nëse jo atëherë ta dërgojë vendin në zgjedhje, të cilat ne si opozitë i mirëpresim, por që nuk është që jemi kontribuar që ato të mbahen…ne gjithsesi që jemi të gatshëm, por nuk jemi duke i thirr ato, sikur që nuk i krijuam momentumin për zgjedhjet e kaluara”, deklaron Gjoshi.
Sipas tij, PDK-ja nuk ka votë, siç i quajti përçarësit e shoqërisë kosovare.
Gjoshi: Nuk e votojmë dhe as nuk ia bëjmë kuorumit Vjosa Osmanit
“Nuk do të kemi votë për ata që për vjet të tëra ndikuan që të përçajnë shtëpinë dhe vet shoqërinë tonë. Në këtë rast për emrin e Vjosa Osmanit, e cila vazhdon edhe sot me gjuhën e njëjtë si të Vuqiçit ta luftojë shtetin e Kosovës. Nuk kishte asnjë vullnet në Këshillin Drejtues, por as në mesin e deputetëve që në asnjë rast, as t’i bëhet kuorumi dhe as të votojnë zonjën Osmani”, thotë ai.
Lidhur me reflektimin e PDK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Gjoshi thotë se rezultati ka qenë i papritur dhe në këshillin drejtues të kësaj partie është diskutuar për të ecur përpara me reformat e duhura në parti.
Gjoshi: Rezultati zgjedhor në masë të madhe ka qenë i papritur për neve
“Askush në atë këshill drejtues nuk e ka ndier vetën mirë me rezultatin. Gjithë kanë punuar dhe janë angazhuar për një rezultat më të mirë. Rezultati zgjedhor në masë të madhe ka qenë i papritur për neve si parti, ka qenë në mospërputhje edhe me sjelljet tona si opozitë konstruktive, por edhe me angazhimin në fushatë zgjedhore. Ne e bëmë fushatën që ishte më e mirë se e partive tjera, por nuk e morëm rezultatin që pritëm…kishte edhe zëra që ishin pak më kritik që kërkuan që ndoshta është mirë që nga kryesia të ketë reflektim, ose një votëbesim të tyre. Mirëpo ishin zëra të izoluar”, thotë ai.
Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë vetëm 17 për qind të votave në nivel vendi. Partia e Enver Hoxhajt do t’i ketë 19 deputetë në Kuvendin e Kosovës.