Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po akuzohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) atje. Kryetari i degës së PDK-së, njëherit kandidat për kryetar të kësaj komune, Naim Fetahu ka denoncuar sipas tij abuzimet dhe keqpërdorimet që janë bërë në buxhetin e komunës së Podujevës.
Për këtë Fetahu thirri konferencë për media, ku numëroi disa siç thotë ai skandale dhe shkelje të cilat janë bërë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari.
Për gjitha këto, Fetahu ftoi prokurorinë që të bëjë hetime.
Ndër shkeljet që u bën aty, Fetahu përmend se buxheti u keqpërdor edhe në kontratën e lidhur për riparimin e rrugëve të asfaltuara.
“Komuna e Podujevës për riparimin e rrugëve të asfaltuara kishte lidhur kontratë kornizë më 28.06.2018 me afat deri më 28.10.2019. Edhe pse kjo kontratë kishte skaduar komuna kishte vazhduar me porositje të shërbimeve duke tejkaluar dy pozicione në vlerë 4,477€”, tha ai në konferencën për media.
Tutje, Fetahu iu është referuar Raportit të Auditorit, duke theksuar se Rudari veçse ka vazhduar qeverisjen e keqe 20 vjeçare të LDK-së dhe se ai tashmë sipas tij ka dëshmuar se nuk është i gatshme për të udhëhequr me komunën.
“Me të gjitha këto shkelje, të cilat i ka vërtetuar edhe Raporti i Auditorit, Nexhmi Rudari vetëm ka vazhduar një qeverisje të keqe 20 vjeçare të LDK-së. Për më tepër, ai dëshmuar se nuk është i gatshëm dhe as i kualifikuar për të udhëhequr me komunën”, ka thënë Fetahu.