Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Ukë Bytyqin në 18 vjetorin e vrasjes.
Osmani ka shkruar se guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët.
“Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë i Osmanit:
Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institucionale e politike.
Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë.
Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura.