Një muaj paraburgim i është caktuar ndaj personit cili më 3 mars kishte grabitur një pompë të derivateve në Prizren ku punëtorit ia mori 1 mijë e 500 euro.
Nga Gjykata Themelore në Prizren njofton se “I pandehuri S.H., me datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve, i pandehuri me një person tjetër me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat anti – covid të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, i afrohen viktimës, dhe i drejtohen me fjalët ‘’ mos lëviz vetëm na jep para”, viktima nga frika fillimisht i ngrit duart lart dhe jep para në vlerë prej 1.500 (një mijë e pesëqind) euro, dhe i pandehuri S.H., pasi i pranon të hollat së bashku me personin tjetër i cili është në arrati largohen në këmbë me shpejtësi”.
Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me ç’rast gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, po ashtu faktin se i pandehuri është kapur nga ana e organeve policore tri ditë pas kryerjes së veprës penale, si dhe duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale si dhe intensitetin e vlerës së mbrojtur, sidomos duke e marrë për bazë deklarimin fillestar të pandehurit i cili e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre penale pasi që ka përdorur substanca narkotike. Andaj, duke marrë parasysh të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore”
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.