Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa është përgjigjur ndaj akuzave të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci se Qeveria Kurti është rrëzuar për shkak të negociatave për Zajednicën, formimi i të cilit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Mustafa në Debat në RTK tha se ishte vetë Albin Kurti ai që nuk deshi të bëjë dialog me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, duke refuzuar shkuarjen në Uashington.
“Nuk është e saktë se koalicioni me VV është rrëzuar për shkak të asociacionit. Kurti ka thënë se ai do të dialogojë me BE, por nuk ka treguar gatishmëri të dialogojë me SHBA dhe të udhëtojë në Uashington. Asociacioni në procesin e dialogut ka përfunduar dhe është përmbyllur me marrëveshjen e parë 2013”, tha ai.
I pari i LDK-së ka kujtuar se për asociacionin ka vendosur Gjykata Kushtetuese, e cila e ka vlerësuar se është në kundërshtim në 23 nene me aktin më të lartë juridik të vendi tonë.
“E gënjejmë veten nëse themi se po shkojmë në Bruksel që ta përmbysim shtetin për një asociacion që ka statusin e një OJQ-je. Hoti duhet ta ketë të qartë se kjo punë nuk bëhet në Bruksel, por në Kosovë siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese”, u shpreh ai.
Mustafa ka folur edhe rreth takimit me emisarin special për dialogun Miroslav Lajçak rreth asociacionit.
“Unë i kam thënë Lajçakut se ajo s’po e dini çka është asociacioni, pasi emërtimi i asociacionit është me dy kuptime. Ne i themi asociacion, serbët i thonë bashkësi që nuk është krejt asociacion. Gjykata Kushtetuese këto dallime nuk i ka trajtuar në mënyrë të veçantë”, ka shtuar ai.