Tri seanca të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të mbahen gjatë kësaj jave si pasojë e mungesës së kuorumit. Deputetët nuk kanë marrë pjesë as në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për t’u votuar Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike në lexim të dytë, ku në sallë në kohën kur duhet të votohej ishin vetëm 31 deputetë, e që si pasojë ka dështuar të miratohet për të dytën herë.
Mungesa e kuorumit në proces të votimit është duke e përcjell këtë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës, e që ka ndikuar që të mbesin pika të papërfunduara qysh nga muaji gusht. Projektligje e rezoluta nga interpelancat e ndryshme të kryeministrit nuk kanë arritur të hidhen fare në votim si mungesë e kuorumit.
Derisa nga pozita akuzojnë opozitën për bojkotim të votimit, partitë opozitare deklarojnë se nuk është detyrë e tyre që të sigurojnë kuorumin për koalicionin qeverisës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në mënyrë që të ketë një qeveri dhe një Kuvend që mund ta bëjë punën siç duhet. Ai thotë se nuk është detyrë e tyre që t’ia bëjnë numrat qeverisë.
“Kjo është një tregues që kjo qeveri përveç që nuk ka legjitimitetin, nuk i ka as numrat në Kuvend për të kaluar as edhe një ligj. Vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje që të kemi një Kuvend dhe një qeveri që e ka shumicën në Kuvend dhe kalohen, edhe ligjet, edhe bëhet puna ashtu siç duhet, mirëpo ne po e shohim që nuk ka kuorum, kjo qeverisje nuk ka as numra, nuk ka as ide se çfarë të bëjë në këtë situatë të vështirë që po kalon Kosova. [..] Ne nuk jemi që këtu t’i bëjmë numrat qeverisë, ne jemi këtu për të kryer mandatin tonë të cilin e kemi, mandat që kur është interesi i qytetarëve ne votojmë diçka”, thotë ai.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës gjatë kësaj jave ka pezulluar punën në Kuvend pas ngjarjeve të fundit nga Gjykata Speciale.
Kjo sipas deputetit të kësaj partie, Gazmend Bytyqi është arsye se pse ata kanë munguar gjatë kësaj jave në Kuvendin e Kosovës, derisa thekson se është detyrë e koalicionit qeverisës që të sigurojë kuorumin për t’u mbajtur seancat e Kuvendit.
“Dihet që në këtë javë PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga punimet e Kuvendit as në komisionet parlamentare pas situatës së krijuar me Gjykatën Speciale. Gjithashtu, duhet ta dinë koalicioni qeverisës se është obligim i tyre që ta formojnë kuorumin, akuza të tjera të ngritura rreth partive opozitare janë akuza vetëm sa për ta tërhequr vëmendjen nga përgjegjësia që ka. Duhet të mbajë përgjegjësinë të cilën iu takon, për të cilën janë thirrur dhe që e kanë formuar qeverinë”, tha Bytyqi përmes telefonit.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, thotë se deputetët e të gjitha partive politike kanë përgjegjësi para qytetarëve dhe duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit.
“Koalicioni qeverisës përbëhet nga disa parti, unë mund të flas dhe mund të marr përgjegjësi vetëm në qoftë se LDK do të mund të mos merrte pjesë në seancë në numër të madh. Unë thash dhe po e përsëris që pjesa dërrmuese e deputetëve të LDK-së kanë qenë në të gjitha këto seanca. Shpresojmë në mirëkuptimin edhe të partnerëve të tjerë të koalicionit që t’i kthehen përgjegjësisë që e kanë, në fund të ditës këtë përgjegjësi e kanë para qytetarëve të Kosovës, jo para koalicionit. Deputetët në Kuvendin e Kosovës janë përgjegjës para elektoratit të tyre, mbi të gjitha janë përgjegjës para besimit që e kanë marrë prej këtyre qytetarëve. […] Në javën e ardhshme Kuvendi t’i kthehet normalitetit sepse ka shumë punë për të bërë, ka seanca të papërfunduara tash e disa javë dhe është koha e fundit që t’i përfundojmë ato”, thotë ai.
Punën e kësaj legjislature e kritikojnë edhe organizatat që merren me monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se kjo legjislaturë qysh në fillimet e saj është karakterizuar me dështim të seancave për shkak të mungesës së kuorumit. Ai thotë se është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e koalicionit qeverisës që të sigurojë të paktën shumicën e thjeshtë në Kuvend.
“Në këtë drejtim vlen të përmendet fakti që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e koalicionit qeverisës, përkatësisht shumicës parlamentare, që për çështje të cilat ata i sjellin për votim në Kuvend të kenë një shumicë prej të paktën 61 deputetë të pranishëm të cilët marrin pjesë dhe të votojnë. Ne kemi parë që kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe në shumë raste pozita e ka akuzuar opozitën për një sjellje destruktive, ndonëse unë konsideroj që deri tek kjo sjellje e opozitës rol ka edhe vet pozita meqenëse në shumë raste është treguar, le të themi, arrogante me opozitën, qoftë duke mos i përfshirë çështjet apo amendamentet e propozuara prej tyre nëpër ligje”, thotë ai.
E që të ketë një funksionim të mirëfilltë të punës së Kuvendit të Kosovës, Cakolli thotë se, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ose duhet të shihet mundësia e zgjerimit të koalicionit qeverisës.
“Është evidente që asnjë iniciativë ligjore apo asnjë projektligj nuk mund të miratohet në Kuvend nga pozita pa ndihmën e opozitës. E në këtë drejtim unë besoj që janë dy variante të mundshme, në radhë të parë është mundësia e zgjerimit të koalicionit apo edhe shkuarja në zgjedhje. Meqenëse dështimi i Kuvendit që pikërisht në periudhë pandemie, kur qytetarët kanë pasur më së shumti nevojë që të shohin dorën e Kuvendit të themi kushtimisht për t’iu ofruar atyre ndihmën e nevojshme, Kuvendi ka qenë duke u marrë me çështje të tjera, me akuza, me përdorim të gjuhës jo parlamentare dhe ka dështuar që të adresojë kërkesat e vazhdueshme qytetare për të gjetur një lloj konsensusi në këtë situatë mjaftë të ndjeshme për vendin”, thotë Cakolli.
Të mërkurën e kësaj jave ishte paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në lexim të dytë, por që në sallë ishin vetëm 31 deputetë, duke dështuar kështu për herë të dytë që të votohet. I njëjti projektligj kishte arritur të votohet në lexim të parë vetëm në herën e tetë.
Në po të njëjtën ditë ishte edhe vazhdimi i seancës plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme, por që ka dështuar të mbahet.
E mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojë edhe seanca e të enjtes ku kryeministri i vendit Avdullah Hoti ishte i thirrur në dy interpelanca