Miratimi i qarkores së Qeverisë që të gjitha institucionet e Kosovës të mos aplikojnë në organizata ndërkombëtare, është shndërruar në ‘mollë sherri’ ndërmjet kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani dhe kryeministrit Avdullah Hoti në seancën e sotme plenare.
Osmani ia bëri me dije Hotit se kjo qarkore nuk vlen për të zgjedhurit e popullit, pasi ata nuk mandatuar qeverinë për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ajo me këtë rast ka bërë të ditur se shumë shpejt Kosova do të aplikojë në njërën nga organizatat ndërkombëtare.
“Kur theksoni të gjitha institucionet, a keni menduar që këtu është edhe Kuvendi i Kosovës. Në radhë të parë MPJD nuk mund të lëshojë qarkore për Kuvendin, por një gjë e tillë do të kishte mundësi të bëhej sikur të ekzistonin dy rrethana. Sikur dokumenti i nënshkruar të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, atëherë natyrisht do të krijonte obligim për Kuvendin. Ose e dyta që para se të shkonit në Uashington, Kuvendi do t’ju mandatonte me një rezolutë ose akt të veçantë që ju të merrni obligime për Kuvendin. As nuk ju kemi mandatuar të bëni moratoriumin në emër të gjithë institucioneve, edhe e dyta nuk ju kemi mandatuar. Në mungesë të këtyre dyjave, shpresoj që ministrja as do të tentojë të na dërgojë një qarkore të tillë, por nëse tenton, ky Kuvend asnjëherë nuk ka shprehur vullnetin për moratorium për mos aplikim. Ne do të vazhdojmë me planin tonë të hartuar, do të aplikojmë së shpejti në njërën nga organizatat që shohim se ka momentum”, tha Osmani.
Por kryeministri Hoti, duke injoruar kryeparlamentaren Osmani, tha se nuk e di se kujt ajo iu adresua me këtë rast.
“Janë 40-50 deputetë nuk e di kujt iu drejtuar me atë pyetje”, tha ai.
E në reagimin e saj, kryeparlamentarja Osmani sqaroi se pyetja ishte adresuar pikërisht kryeministrit Hoti.
“Dokumenti që e lexova është i Qeverisë së Kosovës. Herën e fundit që kam kontrolluar, ju jeni në ulësen e kryeministrit të kësaj qeverie. Pra, natyrisht pyetja është për ju”, tha Osmani.
Pavarësisht insistimit, kryeministri Hoti nuk zgjodhi t’i përgjigjet Osmanit./