Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan të enjten nëpërmjet një letër urimi dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar edhe njëherë që rishikohet vendimi për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem si dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që ta rishikojë këtë vendim brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.
Lidhur me këtë kërkesë të Erdoganit, Kurti nuk ka dashur të bëjë komente duke arsyetuar se është në vendin e të rënëve për liri.
Kurti: Nuk është vendi dhe dita të flasim për çështje politike
“Nuk është dita dhe vendi që të flasim për çështje të politikës ditore shpresoj të na mirëkuptoni që sot jemi këtu bashkë me presidenten në ardhje në nderim të viktimave të masakrës dhe për të qenë pranë të mbijetuarve të masakrës”, tha Kurti kur u pyet nga gazetarët sot pas homazheve që bëri në varrezat e familjes Berisha dhe dëshmorëve në Suharekë.
Më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.