Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, ka hedhur poshtë çdo mundësi që Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u në takimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë apo të çdo niveli tjetër.
Gjatë takimit me shefin e Misionit të BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog, ministrja Haradinaj-Stublla ishte e vendosur për mbrojtjen e integritetit dhe kushtetutshmërisë së vendit, në secilin mekanizëm ndërkombëtar, duke bërë të qartë se koha kur Kosova përfaqësohej nga UNMIK-u ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë.
“Është fakt i njohur ndërkombëtar tashmë se në Republikën e Kosovës ekziston një realitet i ri politik e ligjor, i bazuar në Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën, Vendimin e GJND-së dhe ligjet e tjera të aplikueshme. Kjo nënkupton që Republika e Kosovës, në asnjë rast NUK mund të përfaqësohet në çfarëdo nisme ndërkombëtare, nën emërtimin e UNMIK-ut, aq më tepër kur ky mision për ne ka përfunduar me 17 shkurt 2008,” tha Haradinaj-Stublla gjatë takimit.
Komisioni Evropian synon që të miratojë, më datën 27 nëntor një amendament në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, të nënshkruar në vitin 2005 ku palë themeluese ishte edhe Republika e Kosovës por që asokohe përfaqësohej nga UNMIK-u.
Kërkesa që Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u mbledhjen e radhës të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është refuzuar nga ministrja Haradinaj-Stublla, e cila ka udhëzuar të gjitha institucionet e vendit që të mos pranojnë përfaqësimin nën emërtimin UNMIK, me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, pasi kjo është tendencë e Serbisë, dhe përveç që është jo kushtetuese, është edhe e jashtëligjshme ndërkombëtarisht, duke rikthyer vëmendjen në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka shpallur Deklaratën e Pavarësisë të Kosovës në tërësi në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.