Javëve të fundit në Kosovë janë shtuar ndjeshëm shifrat e të prekur me koronavirus, e si pasojë e kësaj nevoja për vaksinë vetëm sa po shtohet. Megjithatë, Kosova ende vazhdon të mos ketë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e saj.
Përkundër kësaj nga komunat e Kosovës thonë se tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme që posa të vijë kjo vaksinë në Kosovë, menjëherë të nis vaksinimi i qytetarëve. Madje, komuna e Gjilanit ka nisur edhe me regjistrimin e qytetarëve të moshuar që do marrin këtë vaksinë.
Kryetarët e komunave të Kosovës po paralajmërojnë edhe shfrytëzim të hapësirave tjera krahas Qendrave Kryesore të Mjekësive Familjare, në rast se vjen deri tek vaksinimi masiv.
Nga komuna e Prishtinës e cila ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në nivel vendi, shprehën të gatshëm për të nisur vaksinimin.
Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi thotë për KosovaPress, se tashmë sistemi parësor shëndetësor në kryeqytet ka bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë trajnuar stafin mjekësor për të dhënë vaksinën anti-COVID.
Meqenëse tani në mars pritet në Kosovë të vijnë mbi 33 mijë vaksina që kryesisht do vaksinohet profesionistët shëndetësor, Gashi thotë se ardhja pjesë-pjesë e vaksina do t’i ofrojë komoditet për dhënien e vaksinave.
“Ne e kemi Qendrën e Vaksinimit me ekipe të mjaftueshme, normalisht edhe në Qendrat e Mjekësive Familjare, ku kjo si projekt normalisht do zhvillohet në një qendër dhe jemi të gatshëm kurdo që vijnë vaksinat që të jemi pjesë e programit operacional të vaksinimit kundër COVID-19….Furnizimi me vaksina do jetë pjesë-pjesë dhe jo në sasi të mëdha dhe si të tilla, do kemi kapacitete të mjaftueshme që në institucionet ekzistuese të kryhet ky vaksinim, duke marrë parasysh se tani me 33 mijë vaksina, mendojmë se do vaksinohen vetëm punëtorët shëndetësor sepse nuk ka kapacitet sepse numri është po aq i punëtorëve shëndetësor, ndoshta edhe jo të gjithë do mund të vaksinohen duke marrë parasysh që duhet të mirren dy doza nga e njëjta seri dhe mendoj se kjo do na jep pak komoditet për dhënien e vaksinës sepse nuk do ketë fluks të madh”, tha ai.
Shifra të larta të të prekurve me COVID-19 që nga fillimi ka pasur edhe komuna e Vushtrrisë, prandaj autoritetet lokale janë bërë gati për të nisur me dhënien e vaksinës për vushtrriasit, posa dozat të vijnë në Kosovë.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri deklaron se bashkë me QKMF-në kanë përgatitur komplet programin e vaksinimit. Ai thotë se kur të fillojë vaksinimi masiv për qytetarët e Kosovës, kanë paraparë edhe palestrat sportive dhe hapësira tjera të hapura për ta bërë shpërndarjen e vaksinës.
“Normalisht si komunë, bashkë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare kemi përgatitur komplet programin e vaksinimit dhe ne vetëm po presim që të kemi vaksinat për të vazhduar projektin. Janë përgatitura Qendrat e Mjekësisë Familjare, është bërë plani operativ…Plani është që fillimisht të përdoren Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe pastaj nëse do ketë vaksinim masiv, do të përshtaten objektet e tjera publike që janë në Vushtrri e që janë të gatshme për një proces të tillë….Duke filluar nga palestrat, nëse do kemi mot të mirë do vazhdoj me hapësira të hapura siç janë stadiumet që mund të përdoren për këtë qëllim”, u shpreh Tahiri.
Për dallim nga komuna e Vushtrrisë ku kanë bërë vetëm planin operativ, në komunën e Gjilanitë tashmë kanë bërë thirrje publike që personat e moshuar të lajmërohen për t’u regjistruar për këtë vaksinë edhe pse ajo nuk ka ardhur ende në Kosovë.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli për KosovaPress, ka thënë se thirrjes i janë përgjigjur reth 250 qytetarë të kësaj komune.
Ai thotë se fillimisht vaksinimi është organizuar të ndodh nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, por në plan janë edhe ambulantat mjekësore nëpër fshatra kur të vije koha për vaksinim masiv të qytetarëve.
“Kemi bërë thirrjen publike për të gjithë qytetarët që e kanë moshën e nevojshme që të vaksinohen, pra mbi 70, deri në këto momente është një numër i konsiderushëm i atyre që janë paraqitur për vaksinën. Pjesa tjetër e ekipeve janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientë dhe si komunë jemi të gatshëm çdo moment kurdo që vjen vaksina me krye vaksinimin e qytetarëve…Komiteti i Emergjencave ka planin operativ, nuk është vetëm QKMF-ja por kemi edhe ambulanta të tjera të Mjekësive Familjare në zona të caktuara të qytetit dhe në fshatra, ku po planifikojmë në rast të numrit të madh të vaksinohen qytetarët…Shkon numri mbi 250 i atyre që deri në këto momente që janë lajmëruar për vaksinë“, thotë Ismajli.
Stafi mjekësor ka bërë përgatitjet e nevojshme për të bërë vaksinin për qytetarët e Lipjanit, ka thënë edhe kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.
“Ne vetëm kemi diskutua dhe jemi organizua me stafin e mjekëve që në rast se do të furnizohemi me injeksionet anti-covid, sigurisht do të ndermirën veprime të caktuara për të qenë efektiv”, shtoi ai.
Fillimisht u premtuar që disa doza të vaksinës do arrijnë në Kosovë në muajin shkurt.
Ndërsa tash muaji mars nga autoritetet shtetërore po flitet si kohë e mundshme për të arritur dozat e para. Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Por vaksinën AstraZenecas për shkak të dyshimeve shumë shtete e kanë ndërprerë përdorimin e saj për një kohë.