Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke thënë se gjuha që po përdoret ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës është i pashembullt për një vend demokratik dhe ku sundon ligji, prandaj duhet të ndalen të gjitha sulmet në mënyrë që zgjedhjet të mbahen me kohë dhe papengueshëm.
Sipas KMDLNj, edhe KQZ si dhe kryetarja Valdete Daka e kanë Ligjin sikur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe, çdo refuzim i zbatimit të Ligjit bartë përgjegjësi penale sikur që çdo përpjekje, kërcënim, shantazhim apo linçin, si ndaj KQZ –së dhe kryetares Valdete Daka, është sulm i drejtpërdrejtë mbi pavarësinë e këtij institucioni dhe përpjekje për instrumentalizim si dhe futje nën kontrollë politike.
“KMDLNj vlerëson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të padrejta dhe se shkelin të drejtat e njeriut në mënyrën më flagrante të mundshme”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Reagim i plotë i KMDLNj – së:
DUKE RESPEKTUAR LIGJIN , LIDERËT DUHET T’I MBROJNË INSTITUCIONET E PAVARURA E JO T’I SULMOJNË ATO !
Fushata zgjedhore në Kosovë, ndonëse pa një mbulesë ligjore për faktin se KQZ e ka caktuar afatin e fushatës, ka filluar më tërë ashpërsinë e saj, duke mos zgjedhur fjalë ose veprime. Subjektet politike apo kandidatët që garojnë për deputetë kanë krijuar një “ afërsi “ me media të caktuara, varësisht nga kushtet materiale që iu ofrojnë mediave. Sot nuk duhet të jesh fare i mençur e të identifikosh rreshtimin e mediave dhe disa analistëve të “ pavarur “. Në këtë kuptim, në Kosovë e kemi thuaja një transparencë 100%, në kontekstin negativ. Pas një vendimi kontravers dhe politik të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nxori gjithashtu dy vendime kontraverse; dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme shkaku se vota e ish – deputetit Etem Arifi, i dënuar me më shumë se një vit burg, me një vendim të plotëfuqishëm të gjykatës kompetente për vepër penale u shpallë e pavlefshme dhe, vendimi i dytë ishte se asnjë kandidat i dënuar për çfarëdo ( !!!! ) vepre penale në tre vitet e fundit, me një vendim të formës së prerë, nuk mund të garojë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. KMDLNj vlerëson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të padrejta dhe se shkelin të drejtat e njeriut në mënyrën më flagrante të mundshme. Për rastin “ Etem Arifi “, nga të gjithë zinxhirët e përgjegjësisë të cilët kanë patur mundësi dhe është dashur ta pamundësojnë votën e një të dënuari me më shumë se një vit burg për një vepër penale e që është vërtetuar me një vednim të formës së prerë, është penalizuar vetëm hallka e fundit e zinxhirit të përgjegjësisë, Kuvendi i Kosovës duke e dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në vend se që rasti të kthehej në pikën zero e që do të ishte në përshputhmëri me rolin e Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e dytë me ç’rast, pa një vendim të gjykatës përkatëse për shqiptimin e ndalesës apo masës kufizuese për pjesëmarrje në zgjedhje u mohohet kjo e drejtë elementare e njeriut për të votuar apo për t’u votuar në mënyrë edhe më flagrante nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës 47 kandidatëve të të gjitha subjekteve politike që drejtpërdrejtë ka krijuar mundësi për manipulime të ndryshme dhe përshkallëzim të situatës. Komisioni Qendror për Zgjedhje është një institucion i pavarur që ka përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe, deri më tani këtë punë e ka kryer me kompetencë duke u radhitur ndër institucionet më të besueshme. Ka 11 anëtarë me të drejtë vote dhe kryetare është Valdete Daka që është e para në mesin e të barabartëve në kohën që fuqia e votës së saj është e njëjtë me anëtarët e tjerë që nënkupton se nuk e ka forcën e votës deliberative ( përcaktuese ) nëse është votimi 50 % me 50%.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sidomos ai për përjashtimin e 47 kandidatëve nga e drejta për të garuar në zgjedhjet e radhës ka ndikuar që KQZ të jetë institucioni më i sulmuar në Kosovë kurse kryetarja e KQZ, znj. Valdete Daka të jetë personi më i linçuar dhe më i kërcënuar në Kosovë në kohën kur as KQZ e as Valdete Daka nuk kanë asnjë përgjegjësi, subjektive apo objektive qoftë ajo. Edhe KQZ si dhe kryetarja Valdete Daka e kanë Ligjin sikur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe, çdo refuzim i zbatimit të Ligjit bartë përgjegjësi penale sikur që çdo përpjekje, kërcënim, shantazhim apo linçin, si ndaj KQZ –së dhe kryetares Valdete Daka, është sulm i drejtpërdrejtë mbi pavarësinë e këtij institucioni dhe përpjekje për instrumentalizim si dhe futje nën kontrollë politike. Gjuha që po përdoret ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës është i pashembulltë për një vend demokratik dhe ku sundon ligji prandaj duhet të ndalen të gjitha sulmet në mënyrë që zgjedhjet të mbahen me kohë dhe papengueshëm.
Politikanët të cilët, me të drejtë apo pa të drejtë nuk janë të kënaqur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të cilat, për fat të keq, janë të pakundërshtueshme, me të ardhur në pushtet apo edhe nga opozita duhet të nisin procesin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese duke ia hequr monopolin ekskluziv për marrje të vendimeve e që, thuaja në shumicen e rasteve po prodhojnë efekte dhe pasoja politike duke shkaktuar kriza të shumta. Mund ta marrin shembullin e Shqipërisë apo ndonjë praktikë tjetër ku Gjykata Kushtetuese mbikëqyret nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave. Legjislatura e re duhet të kërkojë të bëhet edhe ndryshimi i rekrutimit dhe intervistimit të kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese të Kosovës për faktin se mënyra e deritashme është treguar joefikase .
Liderët politikë duhet të jenë ata që nuk duhet të lejojnë sulmet ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës dhe, me shembullin e tyre duhet të dëshmojnë se janë për një shtet ligjor dhe shtet të së drejtës e që, së paku deri më tani, një numër i tyre e kanë bërë të kundërtën.