Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Vlora Dumoshi, ka bërë të ditur sot se nga viti i ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e veta buxhetore, veprim ky i rëndësishëm drejt pavarësimit financiar të institucioneve.
Ajo gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore ka diskutuar planifikimin dhe programet e punës për vitin 2021.
“Kam zhvilluar takim me drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Transfereve që institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të pajisjen me kode buxhetore. Krahas kësaj, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, tha Dumoshi.
Për më tepër, ministrja Dumoshi u zotua se do të ndërmarrë veprime në shpalljen e procedurës për rekrutim për pozitat udhëheqëse, për institucionet e kulturës të cilat aktualisht janë me ushtrues detyre.
Ajo foli edhe për euro-imazhin, ku përmendi që bashkë me QKK-në janë duke shtyrë përpara procesin dhe theksoi se do të ketë edhe aktivitete tjera deri në fund të vitit me institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mirëpritën lajmin për kodet buxhetore dhe se kjo do t’ua lehtësojë punën dhe efikasitetin.
Ata falënderuan ministren Dumoshi për këtë angazhim dhe thanë se krahas kësaj nisme do të angazhohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me MKRS-në drejt avancimit të fushave të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, duke ngritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien.