Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pas shtimit të rasteve me Covid-19 në Kosovë, ka reaguar duke e vlerësuar brengosëse situatën e krijuar nga pandemia.
Përmes një njoftimi për media, IKSHPK bën të ditur se numri i rasteve javën e fundit ka shënuar rritje brengosëse si pasojë e drejtpërdrejt e neglizhimit te masave. Ndërsa sot është shënuar edhe rekord me 281 raste të reja.
“Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë është obligim dhe duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët”, thuhet ndër të tjera në apelin e fundit të IKSHPK-së.
Ky wshte njoftimi i plotw:
BARTJA E MASKAVE ËSHTË OBLIGATIVE!
Të nderuar qytetarë! Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Virusi është kudo! Virusi vret!
Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Mos e nënvlerësoni virusin!
Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale.
Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA!
Sot janë konfirmuar 281 raste të reja me COVID-19. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit te masave.
Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos respektimit të distancës dhe mosmbajtjes së maskave.
Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë është obligim dhe duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike me COVID-19 tashmë qe nëntë muaj pa ndërpre 24 orë.
Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës.
Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.
Pakujdesia e juaj shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
E dijmë se qytetarët kanë nevoja për shërbime të përditshme andaj bëjmë apel t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.
Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Por, ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes, sepse rreziku akoma ekziston dhe për shkak të mospërmbajtjes së rekomandimeve kemi rikthim të rritjes së rasteve dhe rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!
Jemi në prak të dimrit andaj ka me qenë vështirë për të gjithë!
NE PO PUNOJMË PËR JU PA NDËRPRE, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
NE JU TREGUAM QE NËNTË MUAJ SE MUND TA MBAJMË NËN KONTROLLË COVID-19 VETËM SË BASHKU!
SË BASHKU KURSEJMË JETË!
MBANI MASKA-SHPËTONI JETË!