Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me anëtarin e kryesisë, Muzafer Shala kanë takuar sot qindra mësimdhënës të vendit, para të cilëve ka prezantuar Planin e PDK-së për Rimëkëmbjen e arsimit.
Hoxhaj tha se arsimin e kanë prioritet dhe se gjatë qeverisjes së tij vëmendje të veçantë do t’i kushtojnë krijimit të kushteve më të mira për nxënësit e mësimdhënësit.
Ai u zotua se me të marrë mandatin do të bëjë rritje të pagave për mësimdhënësit e të gjitha kategorive.
“Nuk mund të ketë cilësi në arsim pa rritje të pagës së tyre dhe ne kemi vendosur një zotim i jonë që t’i rrisim pagat në arsimin fillor në 700 euro, në arsimin e mesëm në 800 euro dhe për të gjithë profesorët e universitetit në 1 mijë e 800. Dikush mund të pyet a është e mundshme kjo ju e dini që kemi bërë për të gjithë sektorët e tjerë dhe do ta bëjmë edhe kësaj here, meqë nuk mund të ketë mësimdhënie cilësore, nuk mund të ketë përkushtim të profesorëve, të mësimdhënësve në vitin 2021 me pagat që i keni”, tha ai.
Hoxhaj u shpreh se gjatë mandatit të tij qeverisë do të ndërtojnë 60 çerdhe në të gjithë vendin, derisa tha se çerdhe do të ketë në çdo fshat të vendit.
“Jemi shumë të interesuar që të ketë sa më shumë gjithëpërfshirje të të rinjve në edukimin parashkollor, parafillor, po duam ta rrisim numrin e çerdheve…Ne do të ndërtojmë gjatë mandatit tonë qeverisës 60 çerdhe të reja në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndërsa në çdo fshat ku ka shkollë do të ketë po ashtu çerdhe”, tha ai. Para mësimdhënësve Hoxhaj prezantojë planin që e kanë për mësimin në kohë pandemie, derisa tha se qysh në 100 ditshin e parë do të punojnë për ta normalizuar mësimin në të gjithë vendin.
“Ju e dini që nxënësit kanë humbur shumë mësim, e dini që të dy qeveritë Hoti edhe Kurti dështuan me menaxhimin e pandemisë, unë nuk dua që t’i akuzoj para jush ata për ardhjen e virusit, po dua që t’iu hedhim fajin dhe e kanë fajin e përgjegjësinë për mos menaxhimin e përhapjes së tij. Ne do të jemi pranë mësimdhënësve që edhe ta ruajmë shëndetin e tyre, edhe ta ruajmë shëndetin e nxënësve se do të ofrojmë mbështetje direkte financiare, por edhe ta zbatojmë këtë konceptin e mësimit hibrid gjysma në shkolla gjysma online”, tha ai.
Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, u shpreh se kjo komunë është unike pavarësisht zërave, siç tha ai, të krimbave e pleshtave dhe do të jetë e tillë deri në fitoren e PDK-së.
“Drenasi qëndron unik pavarësisht disa zërave të krimbave dhe pleshtave dhe do të jetë unik deri në fitoren e madhe të PDK-së. Do të jemi unik se kështu na mësuan liderët tanë, themeluesit e UCK-së, themeluesit e shtetit dhe të Ushtrisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prandaj, ne ju garantojmë se PDK në Drenas e në Drenicë do të vazhdojë të jetë e para dhe të jetë unike”, tha ai.
Programin e rimëkëmbjes për arsimin e ka prezantuar Muzafer Shala, ku tha se programi i tyre ka për mision krijimin e kushteve për një mësim të qëndrueshëm ekonomik me ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave konkret si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për punë.