Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, para qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë tha se Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti politike që mund ta rimëkëmbë Kosovën.
Hoxhaj para vushtrriasve ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes, derisa theksoi prioritetet i PDK-së janë ekonomia, shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe politika e jashtme.
“Këto zgjedhje janë historike sepse ne do ta ndryshojmë rrjedhën ekonomike, rrjedhën politike, rrjedhën shëndetësore, rrjedhën arsimore të Republikës së Kosovës dhe këtë mund ta bëjë me projektin e rimëkëmbjes e cila është rimëkëmbje politike, kombëtare, shëndetësore dhe arsimore”, tha ai.
Hoxhaj u shpreh i bindur se fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të nisë nga Vushtrria e do të vazhdojë në tërë Kosovën.
“Në këto zgjedhje PDK është unike. Në këto zgjedhje unë po shoh në çdo komunë të Kosovës PDK po merr një mbështetje të madhe dhe unë jam i sigurt që fitorja jonë e madhe si ka filluar në 2007 nga Vushtrria edhe kësaj here do të fillojë nga Vushtrria. Prandaj, thirrja ime është për hir të kryetarit tonë të partisë Kadri Veselit, për hir të Hashim Thaçit presidentit tonë, për hir të UÇK-së, për hir të PDK-së, për hir të rimëkëmbjes së Kosovës. Ne duhet të punojmë ditë e natë që fitorja jonë me 14 shkurt të jetë e madhe”, tha ai.