Drejtësia Sot, si platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka analizuar trajtimin e 20 rasteve të zhvilluara ndaj zyrtarëve të lartë publik gjatë vitit 2019 lidhur me veprën penale “mos raportimi, ose raportimi i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Drejtoresha e GLSP-së, Rreze Hoxha tha se veç heshtjes së prokurorisë dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në shumë prej rasteve, analiza e bërë ka identifikuar edhe probleme në kualifikimin e veprës penale, e që thotë se kjo është përgjegjësi totale e prokurorisë.
Ajo tregoi edhe se në 4 raste ndaj zyrtarëve publikë në Kosovë, prokurori i shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.
“Pos heshtjes së prokurorisë dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në shumë prej rasteve, analiza ka identifikuar edhe probleme në kualifikim e veprës penale. Përgjegjësi kjo totale e prokurorisë. Në 4 raste ndaj zyrtarëve publik në Kosovë, prokurori i shtetit ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Veprimet e të akuzuarve nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë për të cilën parashihet dënim më i ashpër, por janë kualifikuar si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilën parashihet dënim më i butë”, tha drejtoresha e GLSP-së.
Hoxha shtoi se në këtë analizë kanë rezultuar trajtimin e këtyre rasteve edhe nga ana e gjykatave.
“Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është shqiptuar dënim me burgun efektiv. Në 8 raste është shqiptuar dënim me gjobë, në një rast është shqiptuar dënim me kusht. Në 8 raste është shqiptuar dënim kumulativ me gjobë edhe me kusht. Ndërsa në 3 raste është shqiptuar sanksion penal”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, në Kosovë ka mungesë të trajtimit të mirëfilltë të këtyre rasteve.