Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se çështja e personave të zhdukur po trajtohet me përkushtim nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim edhe me familjarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se procesi për gjetjen e të gjithë personave të zhdukur do të vazhdojë deri kur të gjendet edhe personi i fundit.
Në interpelancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hoti, tha se askund në tekstin e marrëveshjes së Uashingtonit nuk përmendet fjala kushtëzim, për çka tha se është e pabazë.
Kryeministri tha se pika 12 e marrëveshjes e cila i referohet kësaj çështje specifikon qartë se të dyja palët zotohen që t’i përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe për të identifikuar mbetjet e personave të zhdukur.
“Mendoj që është plotësisht e pabazë, pasi askund nuk përdoret termi kushtëzim, këtë term nuk mund ta gjeni në tekstin e marrëveshjes apo zotimeve dhe as në planin e zbatimit të marrëveshjes. Sigurisht që është çështje e juaja se si e cilësoni, por nuk bëhet fjalë për asnjë lloj kushtëzimi të këtyre dy çështjeve. Pika 12 e marrëveshjes (së Uashingtonit) e cila i referohet kësaj çështje specifikon qartë të dyja palët zotohen që t’i përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe për të identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dyja palët zotohen të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme për refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët zotohen që të identifikojnë një pikë kontakti për t’i udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse, të qeverisë dhe në koordinim sigurisht midis Beogradit dhe Prishtinës për të siguruar një rifreskim vjetor të rregullt të numrit të rasteve për të cilat duhet të bëhet zgjidhje. Pra, nuk ka asnjë të keqe nga këto zotime, mes të cilave nuk figuron asnjëherë fjala dhe shprehja kushtëzim”, tha ai.
Ai tha se familjarët kanë pasur në vazhdimësi kërkesë që çështja e të pagjeturve të ndërkombëtarizohet dhe që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion tek Serbia, për këtë tha se të gjitha veprimet e tyre kanë qenë në funksion të këtyre kërkesave.
“Edhe çështja e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, e theksoj brenda vendit kërkon zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme një herë e përgjithmonë dhe siç po e shihni nuk ka as në këtë çështje asnjë lloj kushtëzimi. Rrjedhimisht nëse do të ketë marrëveshje pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve. Marrëveshja si tërësi do të ketë garanci ndërkombëtare për të zgjidhur edhe çështjen e të pagjeturve dhe personave të zhdukur. Vlerësoj që çështja e të pagjeturve nuk duhet të politizohet. Me një marrëveshje sikur kjo e Uashingtonit zgjidhja e personave të pagjetur pritet të përshpejtohet, siç e keni pa kohët e fundit procesi për gjetjen e mjeteve mortore ka pasur një dinamikë shumë më të madhe në Kosovë po edhe në Serbi aktualisht po bëhen gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore. Gërmimet që janë duke u realizuar në Mitrovicë, në Syriganë, përfshirë edhe gërmime përkatësisht vazhdimi i gërmimeve në Kizhevak në regjionin e Rashkës dhe në lokacionet e tjera në Serbi”, tha ai.
Ai tha se në Kosovë deri në fund të vitit planifikohet të gërmohet në 5 lokacione për gjetjen e trupave.
Hoti tha se mungesa e informacioneve të besueshme rreth personave të zhdukur ndërlidhet nga mungesa e gatishmërisë së palës serbe për t’i ofruar këto të dhëna.